Zbulohet arsyeja pse nuk u inkuadrua fare Lewandowski në fitoren ndaj Osasunas
Barcelona shkoi në shtatë fitore radhazi në La Liga ndaj Osasunës, por këtë e bëri pa e aktivizuar Robert Lewandowskin. Për ndeshjen e dytë radhazi në kampionat, Hansi Flick nuk i dha asnjë minutë sulmuesit veteran, ndërsa Ferran Torres luajti 90 minuta në Spotify Camp Nou.
Fundjavën e kaluar ndaj Real Betis, mungesa e Lewandowskit ishte një vendim taktik i Flickut, por këtë herë situata ishte ndryshe. Pavarësisht kritikave ndaj polakut pas fitores së Barcelonës kundër Eintracht Frankfurt në mesjavë, sipas Catalunya Radio (përmes Sport), ai nuk u rrezikua ndaj Osasunës për shkak të shqetësimeve në muskujt e kofshës, që i kishte prej disa ditësh.
“Polaku nuk pati minuta ndaj Osasunës për shkak të problemeve në kofshë. Në rast emergjence ai mund të kishte luajtur 15 minuta, por pas golit të parë të Barçës, u vendos të mos aktivizohej.”
Më tej raportohet se Flick nuk planifikon ta rrezikojë Lewandowskin as për ndeshjen e së martës në Kupën e Mbretit ndaj Guadalajarës, edhe pse vendimi përfundimtar do të merret nga vetë lojtari, i cili do ta vlerësojë gjendjen e tij fizike para ndeshjes.
Ky sezon ka qenë i vështirë deri tani për Lewandowskin, i cili ka humbur vendin e titullarit, duke u zëvendësuar nga Ferran Torres. Ndeshja ndaj Osasunës ishte gjithashtu e pesta që ai ka munguar për shkak të lëndimit, gjë që nuk i ndihmon aspak shanset e tij për të siguruar një kontratë të re, teksa marrëveshja aktuale skadon verën e ardhshme.
Barcelona tashmë ka nisur përgatitjet për transferimin e një sulmuesi të ri, duke u përgatitur për jetën pas Lewandowskit. Julián Álvarez dhe Karl Etta Eyong përmenden si objektiva, ndërsa një emër që nuk do të transferohet në Kataloni verën e ardhshme është Fisnik Asllani, i cili nuk konsiderohet një opsion serioz për liderët e La Ligës.



