Manxhuka i kundërpërgjigjet PDK-së: LVV e kandidoi Konjufcën krejt në fund, në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka i është kundërpërgjigjur deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri dhe atij Përparim Gruda, të cilët në një konferencë për media theksuan se ka munguar vullneti politik i shumicës parlamentare për zgjedhjen e presidentit.
Manxhuka në një postim në Facebook shkruan se kryeministri Kurti e ka ftuar dy herë në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe se kanë komunikim normal dhe të mirë.
Zëdhënësi i Qeverisë thekson tutje se kryetari i PDK-së asnjëherë nuk i ka thënë Kurtit që ka ndonjë problem me Glauk Konjufcën si personalitet.
“Si LVV në vitet 2011 dhe 2016 kemi pasur problem me emrat e përveçëm të atyre që u bënë presidentë asokohe. Dhe në vend të takimeve me neve, pushteti atëbotë na përndiqte e shtypte me polici.
Bedri Hamzën e ftoi KM Kurti dy herë në takim dhe kanë komunikim normal e të mirë. Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka naj problem me Glauk Konjufcën si personalitet, e të cilin LVV e kandidoi krejt n’fund të afatit për president në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën”, shkruan Manxhuka.



