Zelensky: Propozimet e paqes do të jenë gati t’i paraqiten Rusisë brenda pak ditësh
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, thotë se propozimet e negociuara me zyrtarët amerikanë për një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë mund të finalizohen brenda pak ditësh, pas së cilës të dërguarit amerikanë do t’ia paraqesin ato Kremlinit.
Pas dy ditësh bisedimesh në Berlin, zyrtarë amerikanë thanë të hënën se kishin zgjidhur “90%” të çështjeve problematike mes Rusisë dhe Ukrainës, por pavarësisht tonit pozitiv nuk është e qartë se fundi i luftës është më afër, veçanërisht pasi pala ruse mungon nga bisedimet aktuale, raporton The Guardian.
Në orët e para të mëngjesit të së martës, presidenti ukrainas tha se Kongresi i SHBA-së pritej të votonte për garancitë e sigurisë dhe se ai priste që një paketë dokumentesh të finalizohej “sot ose nesër”.
Pas kësaj, tha ai, SHBA do të zhvillonte konsultime me rusët, të ndjekura nga takime të nivelit të lartë që mund të zhvillohen që këtë fundjavë.



