Zelensky thotë se ShBA-ja po e shtyn Ukrainën që t’i tërheqë trupat nga Donbasi

Zelensky thotë se ShBA-ja po e shtyn Ukrainën që t’i tërheqë trupat nga Donbasi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë sugjeruar një version kompromisi me Rusinë, sipas së cilit trupat ukrainase do të tërhiqeshin nga rajoni lindor i Donbasit, por as ushtarët rusë nuk do të avanconin më tej në atë pjesë.

“Kush do ta qeverisë këtë territor, të cilin ata po e quajnë “zonë e lirë ekonomike” ose “zonë e demilitarizuar”, ata nuk e dinë” – tha presidenti ukrainas, duke folur para gazetarëve të enjten në Kiev, raporton gazeta “The Guardian”.

Zelensky tha se Ukraina nuk beson se ky plan është i drejtë pa garancitë se trupat ruse nuk do ta marrin thjesht nën kontroll zonën pas tërheqjes së ukrainasve.

“Nëse trupat e njërës palë duhet të tërhiqen dhe pala tjetër qëndron aty ku është, atëherë çfarë do t’i mbajë të frenuar këto trupat tjera, rusët? Ose çfarë do t’i ndalë ata nga maskimi si civilë dhe kapja e kësaj zone të lirë ekonomike? Krejt kjo është shumë serioze. Nuk është një fakt me të cilin Ukraina do të pajtohej, por nëse po flisni për një kompromis, atëherë duhet të jetë kompromis i drejtë” – deklaroi ai.

Sipas Zelenskyt, nëse Ukraina nuk pajtohet me një skemë të tillë, do të paraqitet nevoja për mbajtjen e zgjedhjeve ose një referendumi për ta ratifikuar paktin e kompromisit.

Shpërndaje në: