Ylli i “Modern Family”, Aubrey Anderson-Emmons deklaron hapur se është biseksuale, pesë vjet pas përfundimit të serialit
Aubrey Anderson-Emmons, aktorja që u bë e njohur për rolin e Lily-t në serialin ikonik “Modern Family”, ka ndarë me publikun identitetin e saj si biseksuale, në një video të shpërndarë gjatë muajit të Krenarisë në TikTok.
18-vjeçarja, e cila u bë pjesë e kastit të serialit në moshën katërvjeçare, përdori një audio humoristike nga vetë seriali për ta shoqëruar deklaratën e saj.

Në përshkrim, Aubrey uronte ndjekësit për Muajin e Krenarisë, duke përdorur një sërë hashtagësh për të shprehur solidaritetin me komunitetin LGBTQ+: #modernfamily #lily #pridemonth #pride #bi.
Aubrey ishte vetëm katër vjeç kur debutoi në “Modern Family” në vitin 2011 dhe hyri në histori si aktorja më e re që ka fituar një çmim Screen Actors Guild Award, si pjesë e kastit. Pas përfundimit të serialit në vitin 2020, ajo ka vazhduar rrugëtimin e saj artistik, duke eksperimentuar me projekte të ndryshme, përfshirë muzikën, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Së fundmi, ajo ka ndarë reflektime për rritjen në qendër të vëmendjes që në fëmijëri. Në një tjetër video virale në TikTok, Aubrey rrëfeu se, megjithëse nuk është ndier e detyruar të aktrojë, nuk kishte një vetëdije të plotë për përmasat e vendimeve që merrte në atë moshë. Ajo foli gjithashtu për sfidat emocionale dhe gjykimin që ka përjetuar për performancën e saj aktoriale që e vogël.
Megjithëse është shfaqur në pak projekte që prej përfundimit të serialit, Aubrey ka lënë të kuptohet se është duke përgatitur muzikë të re, duke publikuar së fundmi një fragment nga një videoklip të ardhshëm. /Periskopi



