Zhbllokohet magjistralja Mitrovicë – Leposaviq
Magjistralja Mitrovicë-Leposaviq është zhbllokuar të hënën rreth mesditës, pas bllokimit të saj nga dita e djeshme si pasojë e rrëshqitjes së gurëve dhe dheut që kishte ndodhur tek vendi i quajtur ‘Kërrshi i Dudës’ afër fshatit Lisicë të Mitrovicës.Punëtorët e Kompanisë për mirëmbajtjen e rrugëve ‘Jasen’ nga Zubin Potoku, e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, kanë arritur që në orët e paradites ta lirojnë për qarkullim njërën korsi, ndërsa rreth mesditës të dyja korsit në këtë magjistrale kanë qenë të qarkullueshme.Musa Dragaj, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se magjistralja edhe pse është zhbllokuar, vazhdon rreziku i shembjes së shkëmbit në këtë pjesë, për shkak të qarjeve të mëdha në disa pjesë.Dragaj: Ka rrezik permanent që të shembet edhe pjesa tjetër e shkëmbit (Video) “Puna në këto momente është në përfundim e sipër, do të thotë hapja e rrugës tërësisht, mirëpo rreziku ekziston sepse edhe pjesa tjetër e shkëmbit ka qarje kështu që mundet prapë me ndodhë ajo që ka ndodhur mbrëmë…Presim që brenda 10-15 minutave të bëhet shenjëzimi dhe të vendoset një shenjë e rrezikut, sepse siç thash ka rrezik permanent që të shembet edhe pjesa tjetër e shkëmbit dhe mund të vije deri tek ndonjë tragjedi”, ka thënë Dragaj.Edhe Halil Latifi, banor i fshatit Lisicë, ka pranuar se banorët të cilët i kanë shtëpitë afër këtij shkëmbi, ju kanoset permanent rreziku, për shkak të qarjeve të mëdha dhe nga të gjitha anët që ka pësuar ky shkëmb.Sipas tij, banorët e këtushëm kanë tërhequr familjet e tyre nga shtëpitë, të cilët I kanë dërguar tek të afërmit e tyre në Mitrovicë e gjetiu.Latifi: Shkëmbi mundet me ra sërish dhe me na mbytë, është i qarë në të gjitha anët (video) “Ka qenë rruga e bllokuar krejt… Banorët e fshatit Zhazhë, Boletin, Cerajë, Bistricë që kanë pasur me kalu me fëmijë e që kanë ardhur natën, është dashur të kalojnë nga pjesa veriore, së pari në Zveqan pastaj me u kthy nëpër katunde si në Lipë etj… Këtu po shihet shtëpia dhe rreziku se me bë me u shemb mundet me na ra dheu. Na është dashur mbrëmë me tërheqë krejt familjen prej shtëpisë natën me lëshu shtëpinë…po shihet se shkëmbi është i krisur në të gjitha anët, mundet me na ra me i rrëzu shtëpitë dhe me na mbytë…Nuk ka pasur të lënduar por rreziku kanoset çdo moment”, theksoi Latifi



