Zhvillimet politike, Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë

Zhvillimet politike, Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë

Komisionarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, do të anulojë vizitën e planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend.

Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian, duke precizuar se komisionarja Kos tashmë e ka informuar kryeministrin Kurti për vendimin e saj.

Komisionarja Kos synon të udhëtojë për në Prishtinë sa më shpejt të jetë e mundur, u tha nga zyra e shtypit të Komisionit Evropian.

Vizita e Kosit ishte paraparë për mesin e kësaj jave.

Kosova është i vetmi vend që bën pjesë në portofolin e saj të cilin ajo ende nuk e ka vizituar, ndonëse mban postin evropian nga dhjetori i vitit 2024.

Gjatë vitit të kaluar, arsyeja e mosvizitës ishte kriza institucionale në vend. Menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ajo paralajmëroi një vizitë në Kosovë sapo të formoheshin institucionet në vend.

Ishte menduar që kjo vizitë gjithashtu të përkonte me lajmin për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Zyrtarët evropianë, ndërkohë, kanë shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ata nuk dëshirojnë të prononcohen më tej, pasi janë në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. /rtk

Shpërndaje në: