Zidane: “Kartoni i kuq ndaj Ronaldos ishte i tepërt; Asensio nuk më surprizon”

Zidane: “Kartoni i kuq ndaj Ronaldos ishte i tepërt; Asensio nuk më surprizon”

Zinedin Zidane është i pari trajner i Realit të Madridit që nuk mundet në tri klasiket e para si vizitor në “Camp Nou” (2 fitore, 1 barazim).

“Dua të falënderoj lojtarët e mi. Jam shumë krenar për ta, sepse luftuan deri në fund në inferioritet numerik dhe dhanë gjithçka. U treguam të zotë duke shënuar të parët. E dinim që në ‘Camp Nou’ do të ishte e vështirë, por e merituam fitoren. Jam i lumtur për rezultatin e kësaj mbrëmjeje, por duhet ta harrojmë, sepse kemi edhe një ndeshje kthimi dhe trofeu nuk është ende i yni”, ishin fjalët e para të teknikut francez, i cili u ndal edhe te polemikat e kësaj ndeshjeje, rasti i penalltisë së Kristiano Ronaldos dhe ndëshkimi i portugezit për simulim.

Por Kristiano është seriozisht në telashe. Portugezi rrezikon katër ndeshje se shtyu arbitrin.

RONALDO

“Ajo që më mërzit nga arbitri është kartoni i kuq në rastin e penalltisë. Mund të mos ishte një 11-metërsh, por kartoni i kuq ishte i tepërt”. Trajneri vlerëson edhe formën e Asensios dhe të Kovaçiçit: “Asensio nuk më surprizon. Ajo që po bën është fenomenale. Jemi shumë të kënaqur nga ai. Nuk është e lehtë të hysh në fushë 15-20 minuta, të shënosh dhe të jesh vendimtar.

Kovaçiç bëri një ndeshje të madhe. Fatkeqësisht u dëmtua në ijë dhe prandaj e zëvendësova. Isko? Që kur kam ardhur në Madrid mendoja se do të arrinte në këtë nivel. Kishte nevojë vetëm për të luajtur pak. Ai jo vetëm bën diferencën, por edhe shënon. Ta zëvendësoje në këtë ndeshje ishte shumë e vështirë. Jam i lumtur për të. Po përmirësohet dita ditës”.

RAMOS

Ndërsa kapiteni i Realit, Serxho Ramos, e quan të padrejtë kartonin e kuq të Ronaldos dhe thotë se klubi mund ta apelojë atë. “Në një ndeshje të tillë jemi në tension. Për mua nuk ishte një penallti (rasti i Suarezit). Nuk mendoj se arbitri vërshëllen nëse nuk ka parë asgjë. Ai duhet ta ketë parë qartë. Por Kristiano nuk pretendoi penallti. Mund ta apelojmë kartonin, sepse në ndeshjen e kthimit do të jemi pa një lojtar shumë të rëndësishëm”.

 

Shpërndaje në: