Zyra e BE-së mirëpret dorëzimin pa probleme të detyrave në komunat veriore
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar të hënën një takim me katër kryetarët e rinj të komunave veriore në Zveçan, ku ka përshëndetur dorëzimin pa probleme të administrimit lokal, proces i cili, sipas tij, u realizua në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Orav ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale mbetet thelbësor për funksionimin demokratik të komunave dhe për garantimin e stabilitetit në veri të vendit.
Ai ritheksoi rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga të gjitha palët.
“Ritheksova nevojën për angazhim konstruktiv ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale, si dhe mbështetjen e BE-së për realizimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, sipas Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Orav./Periskopi/



