Zyrtare: Milot Rashica transferohet në Gjermani

Zyrtare: Milot Rashica transferohet në Gjermani

Milot Rashica është i lumtur që do të luajë në një klub me traditë në Bundesligën gjermane dhe thotë se është i gatshëm për sfidën e re, teksa është zyrtarizuar si lojtar i Werder Bremen.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka nënshkruar sot kontratë me Werder Bremen pasi dje me sukses i kaloi testet mjekësore pas transferimit nga Vitesse.

Në një njoftim në faqen zyrtare, Werderi nuk ka dashur t’i bëjë publike detajet e kontratës së Rashicës me klubin, e as shumen e transferimit të tij.

Ndërkohë, Bildi gjerman raportoi sot se Rashica është ndër futbollistët më të shtrenjtë në histori të klubit, i cili i ka kushtuar klubit 7.5 milionë euro.

Ndërkohë, kosovari ka folur për faqen zyrtare të klubit: “Jam shumë i lumtur që do të jem në gjendje të luaj në një klub kaq të madh dhe me traditë në Bundesliga”.

Ai e ka cilësuar kalimin në Werder si hap shumë të rëndësishëm.

“Për mua, kalimi te Werderi është hap i madh. Jam i bindur se do të përmirësohemi shumë shpejt si skuadër dhe unë personalisht mund të zhvillohem këtu”, ka shtuar ai.

Rashica do të stërvitë sot pasdite për herë të parë me bashkëlojtarët e rinj.

Shpërndaje në: