​Kurti: Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk ka të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

​Kurti: Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk ka të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas varrimit të dy të rinjve nga Gllogjani që mbetën të vrarë pas rastit tragjik, ka takuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kurti tha se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për ta gjetur dorasin apo dorasët, teksa tha se sasia e informacionit po rritet por ende nuk kanë zgjidhje.

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve, të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti pas këtij takimi, shkruan KP.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se hetuesit e krimeve të rënda janë të angazhuar në këtë operacion policor dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve potencialë.

“Ne jemi duke punuar në dy, përkatësisht tri pista, të cilat potencialisht mund të jenë motive të ndryshme, të cilat kanë mundur të vijnë deri te vrasja. Ne jemi duke punuar jo vetëm me Stacionin e Autobusëve dhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me shoferin dhe viktimat, por edhe me gjithë personat që kanë mundur të kenë kontakt apo informatë rreth rastit”, ka deklaruar Mehmeti.

Pasditen e sotme, me qindra qytetarë kanë marrë pjesë në varrosjen e nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.

Dy ditë më parë në këtë rrugë, u sulmua një autobus i linjës Gjakovë-Deçan, i cili po transportonte nxënës. Në këtë sulm u vranë tre persona.

Shpërndaje në: