10 të fshehtat e Dybalas që nuk i keni ditur, ja cilat janë ato (Foto)
Dibala po lidhet gjithmonë e më shumë me numrin 10. Pas fanellës dhe 10 milionë ndjekësve në rrjetet sociale, lojtari ka rrëfyer jetën e tij përmes 10 sekreteve.
NOFKAT – Kur ishte i vogël e thërrisnin “prifti” sepse fanella i rrinte aq e madhe, sa dukej më shumë si një tunikë. Gjatë përvojës me Palermon, e quanin “u picciriddu”, që në dialektin vendas do të thotë “fëmija”. Një herë madje Paulo reagoi duke thënë: “E ç’të keqe ka të dukesh si fëmijë”. Tashme Dibala njihet si “Joya” (Xhevahiri).
SHAH – Lojën ose artin, siç e quan ai, e ka mësuar në moshë fare të vogël dhe në grumbullimet me ekipet e ndryshme ku luante ka vazhduar ta praktikojë. Që prej janarit nuk luan më, të paktën jo me shokët e skuadrës. I vetmi kundërshtar që kishte ishte Hernanes dhe Marota e shiti. Tashmë Dibala jep shah mat vetëm në fushën e blertë.
LEGO – Ambasador i logos së firmës së tij, por edhe i “Lego”-s. Pikërisht loja me tulla plastike e preferuar ndër fëmijë, është e parapëlqyer edhe nga numri 10 i Juventusit. Në lojën e tij e ndihmon edhe e dashura me të cilën nuk ndalen derisa arrijnë një produkt përfundimtar të pëlqyeshëm.

E DJATHTA – Me të majtën shkruan poezi futbollistike, por po përpiqet të arrijë rezultat edhe me të djathtën. Për të përmirësuar ndjeshmërinë e këmbës, Dibala një herë në javë mundohet të shkruajë emrin me këmbën e djathtë.
ARBITRAT – Kur shokët luajnë futboll, a e dini se çfarë bën Paulo? Vishet me të zeza, fut kartonët në xhep dhe me sa thonë është një arbitër që nuk toleron as faullin minimal, duke bërë që kartonët e kuq të lulëzojnë.
BASKETBOLLI – Zonja Dibala u përpoq ta shtynte të birin drejt basketbollit, por nevoja për ta ndalur topin me këmbë i dha një tjetër orientim sportiv djaloshit. Sot kjo histori është objekt të qeshura me mikun Fakundo Kompazo, organizatori i ekipit të basketbollit të Realit të Madridit.
SOLIDARITET – “Sonrisa” (Buzëqeshja) është emri i fondacionit bamirës të financuar nga Dibala. Jo vetëm bamirësi për juventinin, por edhe shumë solidaritet. Mjafton të kujtojmë se Pashkën e fundit e kaloi në repartin e onkologjisë për fëmijë në spitalin “Santa Margerita” të Torinos.

FANELLAT – Koleksioni i tij i fanellave të shkëmbyera me rivalët ka një emërues të përbashkët duke qenë së të gjitha u përkasin numrave 10. Edhe kur Dibala mbante 21 ndërrimi bëhej me kundërshtarin që mbante 10-ën.
DASHURI – Antonela Kavalieri, ish-modelja që deri pak kohë më parë ishte gjithmonë e pranishme në ndeshjet e Paulos, prej pak kohësh nuk duket më. Ishte ajo dashuria e madhe e Dibalës, një histori që zgjati mbi tre vite, por që asnjëherë nuk u bë objekt thashethemesh.
RRJETE SOCIALE – Dy duar të hapura, 5 + 5. Kështu i festoi Dibala 10 milionë ndjekësit në rrjetet sociale. Siç e do zakoni, nuk mungoi as video falënderuese pa harruar dhe “Maskën Dibala”, një klasike e festimit të golave e frymëzuar nga filmi “Gladiatori”, të cilin “La Joya” thotë se e ka parë me dhjetëra herë.



