150 mijë euro në muaj nga droga, goditet organizata italo-shqiptare, 16 të arrestuar

150 mijë euro në muaj nga droga, goditet organizata italo-shqiptare, 16 të arrestuar

Autoritetet italiane kanë çmontuar një organizatë kriminale italo-shqiptare e cila merrej me trafik droge dhe kanë ekzekutuar 16 urdhra arresti, 9 në burg dhe 7 në arrest shtëpie.

Operacioni, i quajtur “MareMagnum”, është rezultat i një hetimi kompleks të nisur në mars 2024 nga Seksioni Operativ i Karabinierëve të Pescara-s. Hetimet kanë zbuluar një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge, të shtrirë në Pescara, Montesilvano, provinca të tjera italiane dhe me lidhje edhe në Shqipëri.

Grupi përbëhej nga shtetas italianë dhe shqiptarë. Sipas mediave italiane, pjesë e grupit ishin gjithashtu profesionistë (avokatë, mjekë), pronarë restorantesh dhe subjektesh turistike, të përfshirë në blerjen ose shpërndarjen e drogës.

Shitja e drogës, kryesisht kokainë, kryehej në lokalet e natës në Pescara, në komplekse banimi në Montesilvano, si dhe brenda restoranteve në bregdet të frekuentuara nga persona me status të lartë socio-ekonomik.

Rrjeti siguronte të ardhura mbi 150 mijë euro në muaj.

Gjatë hetimeve, që zgjatën mbi një vit, janë sekuestruar rreth 2 kilogramë kokainë.

Provat kryesore mbështeten në përgjime ambientale dhe telefonike të konsideruara thelbësore për zbardhjen e veprimtarisë kriminale të grupit./vizionplus.tv/ Periskopi/

Shpërndaje në: