17 institucione të pavarura pësojnë nga bllokada në Kuvend
Komisioni i Pavarur i Mediave është një nga institucionet tashmë jofunksionale si pasojë e moskontituimit të Kuvendit derisa institucioni i Avokatit të Popullit është duke funksionuar me pjesëtarë që u ka kaluar mandati.
Zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Collaku, thotë se zëvendësimi i anëtarëve të cilëve u ka kaluar mandati ka mbetur peng i bllokadës në Kuvend, ndonëse siç thekson, deri më tani nuk ka pasur ngecje të punës.
“Me moskonstiuimin e kuvendit ka mbetur pa u zhvilluar një konkurs. Në pyetjeje janë katër zv të avoktati te popullit të cilëve iu ka skaduar mandati në qershor të këtij viti dhe tani po avokat i popullit nuk është në gjendje të dërgojë listën e njëjtë me zëvendës apo te bëjë e një njoftim te ri për konkurs. Avokati i populli ka informuar kuvendin dhe jemi ne pritje derisa te formohet kuvendi dhe të vazhdojmë me procedura deri këta zv vazhdojnë punën e tyre deri ne ardhjen e zëvendësve të tjerë”, tha Collaku.
Por nga bllokada në Kuvend nuk pësuan vetëm KPM-ja e institucioni i Avokatit të Popullit. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi listojnë një numër institucionesh të tjera të pavarura të cilat funksionojnë me mungesa të anëtarëve ose janë jofunksionale për shkak të mosveprimit të Kuvendit përfshirë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencinë Kosovare të Pronës, Autoritetin e Pavarur i Konkurrencës e të tjera.
Në Institutin GAP ndërkaq thonë se me mosfunksionim të Kuvendit shumë institucione të pavarura kanë mbetur edhe pa monitorim.
“Mos funksionimi kemi shume institucione të pavarura pa monitorim, kemi borde që u kalon mandati kemi edhe çështjen e financimit të RTK-së… Është një zinxhir procesesh pa përmendur ligje të rëndësishme, kemi ligjin e punës i cili po pret trajtim në kuvend…”, tha Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP.
Të shtunën e kaluar për 54 herë më radhë deputetët dështuan ta konstituojnë Kuvendin me gjithë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta përmbushur këtë obligim brenda afatit 30 ditësh. Që nga e diela e deri më 8 gusht është në fuqi masa e përkohshme e Kushtetueses e cila ndalon çdo vendim dhe veprim të deputetëve pas afatit për konsitutim, raporton RTV21, transmeton Periskopi



