Një vit pas lansimit të hallkave, sa ka funksionuar realisht monitorimi elektronik?
Edhe pak ditë bëhen 1 vit prejse është lansuar sistemi i hallkave për mbikëqyrje elektronike, për persona të dyshuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
E nga janari deri në shtator të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës e cila është përgjegjëse për monitorimin e tyre, hallkat i janë vendosur 30 personave, të gjithë të përfshirë në raste të dhunës në familje.
“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se gjatë periudhës janar-shtator (nëntëmujor) të këtij viti, janë vendosur në monitorim elektronik 30 persona. Të gjithë këta persona janë të gjinisë mashkullore dhe të gjithë kanë qenë të përfshirë në raste të ‘dhunës në familje’. Gjatë kësaj periudhe të monitorimit reagimi i policisë në raste të shkeljeve ka qenë i menjëhershëm dhe është vepruar në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin në rajonin e Prishtinës ka më së shumti persona nën këtë lloji monitorimi“, ka deklaruar Policia e Kosovës për RTVDukagjinin, transmeton Periskopi.
Por megjithëse ky sistem hyri në funksion, ditë më parë një person, i cili kishte urdhër mbrojtës aktiv, sulmoi brutalisht ish-bashkëshorten e tij me sëpatë.
Nga Policia e Kosovës nuk kanë treguar nëse i njëjti ishte nën monitorim elektronik.
Se për çfarë rasti i njëjti e kishte aktiv urdhrin mbrojtës, nuk kanë treguar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por vetëm kanë thënë se kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme dhe lënda është në procedurë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me rastin në fjalë Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe lënda është në procedurë. Gjykata nuk mund të ndaj më shumë informacione, për shkak se rasti në fjalë sipas legjislacionit në fuqi është rast i mbyllur për publikun”, ka deklaruar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë që Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD thotë se duhet analizuar ndikimin e monitorimit elektronik në praktikë.
“Por ende nuk kemi asnjë informatë zyrtare apo ndonjë raport zyrtar se sa është deri tash sa ka pas zbatim efektiv të ligjit për mbikëqyrje elektronike sa ka qenë situatë që përmes hallkave elektronike ka pas një mundësi që të ketë një monitorim dhe zbatim të mirëfillt të urdhrave mbrojtës, është e nevojshme që Policia të bëjë vlerësimin e rrezikut, dhe kur ka shkelje duhet të bëhet sërish ky vlerësim i rrezikut..”, ka deklaruar Arrita Rezniqi – hulumtuese në IKD.
Tutje ajo thotë se institucionet duhet të japin përgjegjësi, për dështimet e tyre në raste të tilla.
“Llogaridhënia është e domosdoshme në secilin rast sepse në momentin që ka dështim të vazhdueshëm të institucioneve në kryerjen e detyrave të tyre, pasojat përsëriten dhe po krijon problematika të vazhdueshme dhe po krijon mungesë të sigurisë dhe të drejtësisë për viktimat në këto raste..”, shtoi Rezniqi.
Të rralla nuk ishin rastet në Kosovë, kur gratë që kishin raportuar bashkëshortët e tyre për dhunë në familje përfunduan të vrara.
Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë, u vra para Klinikës së Gjinekologjisë, në fund të vitit 2022, ani se institucionet kishin lëshuar urdhër mbrojtës ndaj burrit të saj./Periskopi



