Viti 2025: Bllokadë, shkelje kushtetuese dhe krizë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv

Viti 2025: Bllokadë, shkelje kushtetuese dhe krizë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv

Për herë të parë në Kosovë, më 9 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhje të rregullta parlamentare për zgjedhjen e 120 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Procesi zgjedhor u zhvillua brenda afateve kushtetuese dhe u perceptua si një moment i rëndësishëm për ciklin demokratik të vendit, por rezultatet prodhuan një skenë politike të fragmentuar dhe vështirësi serioze për formimin e institucioneve.

Kandidatë me probleme ligjore në betejën për Kuvendin në zgjedhjet e 9 shkurtit

Zgjedhjet parlamentare u shoqëruan me kandidimin e personave që përballen me probleme serioze me ligjin. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për dekriminalizimin e politikës, disa subjekte politike përfshinë në listat e tyre kandidatë me aktakuza aktive ose dënime të formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë proces zgjedhor, tri subjekte politike përfshinë gjithsej 23 kandidatë me probleme ligjore, që përbëjnë rreth 7 për qind të listave të tyre. Pjesa më e madhe e këtyre kandidatëve përballeshin me aktakuza aktive, ndërsa ndaj tyre janë ngritur gjithsej 20 aktakuza për 21 vepra penale, përfshirë vepra korrupsioni dhe forma të tjera të kriminalitetit.

Rezultate zgjedhore pa shumicë parlamentare

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti i parë me rreth 42 për qind të votave, pa arritur shumicën parlamentare. E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21 për qind, ndërsa e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18 për qind. Pas tyre u rendit koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës–Nisma me rreth 7 për qind, ndërsa mandatet e mbetura iu takuan subjekteve më të vogla dhe partive të komuniteteve, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e koalicioneve qeverisëse.

Dorëheqjet që nuk ndodhën, kabineti qeveritar shkeli Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë

Ligji për Qeverinë parasheh që ministrat e zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultateve zgjedhore. Megjithatë, ky obligim ligjor nuk u respektua nga shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, përfshirë edhe Kryeministrin.

Në praktikë, disa ministra vazhduan të ushtrojnë funksione ekzekutive edhe pas certifikimit të rezultateve, duke vepruar njëkohësisht si deputetë. Ligji përcakton qartë se në rast të zgjedhjes si deputet, anëtari i Qeverisë në detyrë duhet të dorëhiqet para certifikimit të rezultateve, standard që nuk u zbatua në këtë rast.

Gjykata Supreme ndaloi pushtetin e dyfishtë, por Qeveria e shpërfilli vendimin

Më 7 korrik 2025, Gjykata Supreme e Kosovës shfuqizoi Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për sistemet fiskale, duke konstatuar se ai ishte nxjerrë pa kompetencë dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Akti nuk ishte miratuar nga Qeveria dhe nuk kishte kaluar në konsultim publik.

Gjykata konstatoi se udhëzimi ishte nxjerrë nga një ministër në detyrë i cili ushtronte njëkohësisht edhe funksionin e deputetit, duke shkelur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Për pasojë, akti u shpall juridikisht i pavlefshëm.

61 vota që munguan, si u paralizua Kuvendi i Kosovës?

Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ishte caktuar të mbahej më 15 prill 2025, por procesi u bllokua që në fillim, pasi nuk u miratua raporti për verifikimin e mandateve.

Në vazhdim, Kuvendi u përball me dhjetëra përpjekje të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit, për shkak se subjekti më i madh parlamentar nuk arriti të sigurojë shumicën prej së paku 61 votash. Kandidatura e Albulena Haxhiut u hodh disa herë në votim, por pa mbështetjen e nevojshme për zgjedhje.

Më 1 maj 2025, u propozua ndryshimi i mënyrës së votimit përmes votimit të fshehtë, por kjo u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat refuzuan pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm, duke argumentuar se ndryshimi i procedurës ishte në kundërshtim me Rregulloren dhe Kushtetutën.

Rregullat nuk ndryshohen në mes të lojës, Gjykata Kushtetuese rrëzoi seancat jokushtetuese

Më 8 gusht 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur, duke përjashtuar votimin e fshehtë. Gjykata urdhëroi që zgjedhja të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, dhe saktësoi se një kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë.

Po ashtu, Gjykata shpalli të pavlefshme të gjitha seancat konstituive të mbajtura ndërmjet 27 qershorit dhe 26 korrikut 2025.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kuvendi nuk ishte konstituuar në rastin e nënkryetarit nga komuniteti serb

Gjykata Kushtetuese vendosi se seanca konstituive e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Sipas vendimit, mungesa e këtij hapi e bën të papërfunduar procedurën e konstituimit të Kuvendit.

Vendimi erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila kontestoi shpalljen e Kuvendit të konstituuar pa përfunduar të gjitha procedurat kushtetuese.

Dështimi i parë: Qeveria Kurti nuk i siguroi votat në Kuvend

Përpjekja e parë për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dështoi, pasi kandidati për kryeministër Albin Kurti nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash në Kuvend. Pavarësisht se subjekti i tij kishte dalë i pari në zgjedhje, fragmentimi i skenës politike dhe mungesa e marrëveshjeve me subjektet tjera parlamentare e pamundësuan votimin e Qeverisë.

Ky dështim u pa si pasojë e izolimit politik dhe mungesës së konsensusit minimal për ndërtimin e shumicës parlamentare. Votimi i pasuksesshëm shënoi fillimin e një krize të thellë institucionale, duke e lënë vendin pa qeveri legjitime dhe duke zgjatur funksionimin e ekzekutivit në detyrë, me kompetenca të kufizuara dhe legjitimitet të diskutueshëm.

Seancë jokushtetuese dhe thellimi i krizës

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e thirrur më 19 nëntor 2025 me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, u cilësua si seancë jokushtetuese, pasi u organizua dhe u zhvillua në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi. Pikat e rendit të ditës u proceduan pa bazë ligjore, pa respektuar hierarkinë e vendimmarrjes parlamentare dhe jashtë praktikës së konsoliduar parlamentare, duke e shndërruar seancën në një akt formal pa legjitimitet juridik.

Një shkelje konkrete dhe thelbësore ishte përpjekja për të proceduar çështje të rëndësishme parlamentare para zgjedhjes së Qeverisë, në një moment kur Kuvendi ende nuk ishte funksionalisht i plotë. Ky veprim cenoi drejtpërdrejt rendin kushtetues, pasi Kuvendi nuk mund të ushtrojë kompetenca të plota pa u qartësuar raporti qeveri–opozitë dhe pa u respektuar rendi kushtetues i konstituimit të institucioneve.

Dështimi i dytë, as kandidatura e Konjufcës nuk e zhbllokoi Kuvendin

Pas dështimit të parë, u tentua formimi i Qeverisë me kandidimin e Glauk Konjufcës, por edhe kjo përpjekje përfundoi pa sukses për shkak të mungesës së shumicës parlamentare. Pas kësaj përpjekjeje, Kuvendi u shpërnda me dekret të Presidentes dhe u shpallën zgjedhjet e parakohshme për 28 dhjetor 2025.

Çështjet jetike që u lanë pezull në një vit pa Kuvend funksional dhe qeveri legjitime

Për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mungesës së një qeverie legjitime, nuk u trajtuan marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, marrëveshja me Bankën Botërore, buxheti për vitin 2026, buxheti për Radio Televizionin e Kosovës dhe buxheti për komunat në veri të vendit.

Po ashtu, mbeti i pazbatuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese që lidhet me pagat në sektorin publik, duke prekur drejtpërdrejt të drejtat e mbi 94 mijë shërbyesve civilë.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kandidatë me probleme ligjore në betejën për Kuvendin

Në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, janë certifikuar 24 subjekte politike me gjithsej 1,179 kandidatë për deputetë. Sipas monitorimit të IKD-së, 28 kandidatë apo 2.37% e totalit janë identifikuar si persona të përfshirë në raste penale, përfshirë 19 me aktakuza aktive dhe 12 me dënime të formës së prerë.

Numri më i madh i kandidatëve me probleme ligjore vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga AAK, Nisma Socialdemokrate, PDK, Lista Serbe, KDTP dhe LDK. Veprat penale dominuese lidhen kryesisht me korrupsionin zyrtar, veprat kundër detyrës zyrtare dhe përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm. Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, këto të dhëna tregojnë regres në të gjitha kategoritë e vlerësimit.

Rezultatet zgjedhore të 28 dhjetorit

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 prodhuan një rezultat të qartë për subjektin e parë, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese me 49.34 për qind të votave, apo 433,394 vota. Subjekti i dytë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.98 për qind apo 184,318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u rendit e treta me 13.57 për qind apo 119,201 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) arriti të kalojë pragun zgjedhor me 5.66 për qind apo 49,698 vota, duke siguruar përfaqësim parlamentar.

Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate mori 1.70 për qind të votave, apo 14,957 vota, duke mos arritur të kalojë pragun zgjedhor dhe për rrjedhojë mbeti pa përfaqësim në Kuvend. Sa i përket partive të komuniteteve joshumicë, Lista Serbe siguroi 4.81 për qind apo 42,235 vota, ndërsa mandatet e tjera do të shpërndahen për subjektet e komuniteteve joshumicë sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore.

Duhet theksuar se këto rezultate janë preliminare, pasi procesi zgjedhor përfshin edhe numërimin e votave të dërguara me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat trajtohen sipas procedurave të veçanta të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas shqyrtimit të ankesave të mundshme nga partitë politike dhe kandidatët në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i certifikojë rezultatet zgjedhore. Më pas, brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve, Presidentja e Republikës duhet të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit, ku zgjidhen Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë./Periskopi

Shpërndaje në: