2 korrikët (jo)politik

2 korrikët (jo)politik

1990

Megjithë respektin për ty artist  i dashur i popullit dhe deputeti ynë i ardhshëm Adem Mikullovci, por JO! Jo baci Adem. Po të gjuante snajperisti në Muharrem Shabanin, mbase ti do e kapje dhe do e vazhdoje leximin e deklaratës por jo edhe kolegët tu pas teje. Ti mendon se kanë qenë të vendosur, por jo! Ishin të vonuar e të hutuar, jo të vendosur. Të gjithë do të iknin/iknim. Në fakt ajo çka bëtë atë ditë si përfaqësues të këtij populli ishte një dëshmi e sterilizimit tonë politik kolektiv: Tito kishte vdekur, ju/ne vazhduam me “I posle Tita, Tito!”. djemtë na vinin në tabute nga Armata Jugosllave (mbi 100 vetëm në periudhën 1981-1989) ne s’bëzanim; gjysmë milioni njerëz kaluan nëpër biseda informative të UDB-së, kurse ne shpallnim Kosovën “njësi të barabartë në kuadër të Konfederatës/Federatës jugosllave”. E Serbia ishte ajo që dëshironte federatë. Për rrjedhojë d.m.th ne festojmë një shpallje që apriori pranonte edhe një Jugosllavi sipas kuteve të Serbisë! Edhe ngujimin në minierë të Trepçës e bëmë duke u thirrur në Jugosllavi.

Baci Adem! Stipe Shuvari e Aziz Abrashi kanë vdekur, por ti je gjallë, dhe e di mirë këtë. Thuaju gjeneratave të reja këtë, se e dimë që Vllasi nuk ua thotë. E unë po të tregoj se më 1981 ne (elita shërbëtore e kohës) e ka thirrur Serbinë në Kosovë. Do e kesh para duarsh gjetjen arkivore për këtë gjë, të siguroj! Kundër-argumenti se pas asaj shpallje u përndoqët nga Milicija është i paefektshëm bac. Kjo sepse nuk duhej shpallje për të të ndjekur Milicija. Milicija zhdepte shqiptarë edhe për vjedhje kumbullash. Shkurt fjala 2 korriku është një manifest defetizmi. I kërkesës për shpëtim e mëshirim nga TJETRI, nga I HUAJI përmes taktizimeve në kontekst të edhe një rrumpalle të madhe politike që na zë vonë e në gjumë. I një përpjekje për tu dukur më jugosllav se vetë jugosllavët në një kohë kur ajo po mbahej në këmbë të qelta. E vetmja gjë e shënueshme e asaj ore mund të ketë qenë fakti se ishim më solidarë se sot, por që kjo s’ishte solidarësi politike (meqë politikisht edhe kur ishim bashkë asnjëherë s’mendonim njëjtë), por njëfarë solidarësie e formacionit social: ishim më solidar sepse komplet përbënim familje e farefis!

1999

Mbase e mira e vetme e 2  korrikut të mëlartëm, pra atij të 90-tës, konsiston në të qenit e mirë kolaterale dhe krejt e paqëllimtë:  reflektimi i kësaj date  në Prishtinën e fiks 9 viteve më vonë. Çudia e historisë: diçka krejt e pafuqishme 9 vite më parë, bëhet shkas për njëlloj vetëdijesimi më vonë. Kjo sepse prishtinasit që më 1999 kishin moshën e mbamendësisë politike,  sot mund ta mbajnë mirë në mend se zbrazja masovike e Prishtinës nga serbët ka ngjarë pikërisht më 2 korrik, kur krejt spontanisht u simulua dhe tentua kujtimi i ngjarjes së 9 viteve më herët nga banorët shqiptarë të kryeqytetit. Derdhja e shqiptarëve në sheshe, rrugë e lagje, ndezi panikun tek përqindja e serbëve të ngelur që banë plaçkat. Njëkohësisht ushtarët britanik vranë dy shqiptarë që po festonin me armë tek Kinemaja ABC (https://www.youtube.com/watch?v=opqCXtoSvpA). 2 korriku 1999 është ardhje spontane, një befje e flashkët politike e shqiptarit akoma të hutuar. Deri në këtë datë, për dy javë tëra Prishtina mbante erë Mitrovice. Dhe mund të mbante akoma, po të mos ngjante kjo datë. Nxjerra e detyruar e serbëve jashtë qytetit pati qenë nevojë imediate, për krejt ata që s’donin një Belfast a Liban të ri. Dhe është mirë që ngjau me pak dëme. Ani pse aty u panë celulat e një solidarësie politike të shqiptarëve as që mund të thuhej se ajo po mpleksej. Aq më pak kur kishte shqiptarë që shiheshin për here të parë mes vete në Prishtinë. Ndaj dhe solidarësia dhe politikja me fushat e tyre magnetike s’është se tërhiqeshin, por gjithçka po përçohej nga spontaniteti e besa edhe kaosi. E megjithatë i huaji dhe tjetri si dhunues politik u pyetësuan qoftë edhe përmes kaosit: kuptuam se u desh një luftë për ta larguar Serbinë nga Kosova se ndryshe vetë s’do largohet as Namibia; di dhe kuptuam që ishte e nevojshme një gjarpërim për në rrugët e qytetit, për tu bërë të paktën prezent të gjallë.

2017

Dita na agoi duke i tematizuar solidarsinë, ndjeshmërinë, mëshirën, ndërgjegjen…pra duke pyetësuar tashmë VETEN, jo tjetrin. Nëse pyetni pse, tashmë ngjarjen e dinë të gjithë: një ditë më parë (më 1 korrik) një i moshuar kishte dhënë shpirt diku në rrugën Gjilan-Ferizaj teksa u pa i shtrirë pa ndjenja pranë një kombibusi, i pandihmuar nga asnjë kalimtar rasti, e ç’është më e keqja as nga personi që e gjeti.  Ky qe shkasi i shokut të ditës, por unë do të thoja edhe i dekadës. Do të thoni mbase se ku qëndron politikja në këtë fatkeqësi? Po u them:  bash në thelbin e fatkeqësisë! Jo vetëm pse ambienti ku ngjau gjithçka ishte krejt kapialist (asfalti i ri, ndërtesa me kamerë që kishte regjistruar ngjarjen me mbulesë të shtrenjtë, kalimtarë që duket se ishin të gjithë tregtarë) por edhe pse ngjarja kristalizoi – mendoj unë – pyetjen më të nevojshme të këtyre 9 viteve shtet përcjellur nga një vaster pyetjesh tjera: a na ka tjetërsuar rrënjësisht kapitalizmi? A po na zhveshë përditë nga thelbi ynë njerëzor? A e dinin ata kalimtarë se Kushtetuta jonë e lodhur flet për dënim deri në 1 vjet burgim në raste të mosndihmës së qëllimshme? Rrjedhimisht ku është faji? Tek Kushtetuta që na erdhi me kapitalizëm e Ahtisaarit, por që në fakt në ne e mbi ne pushtetuakan vetëm kapitalizmi e Ahsitsaari por jo edhe Kushtetuta?! Sa vlen një tekst me ligj e dispozita, të kopjuara/përshtatura sado bukur, nëse s’korrespondojnë me natyrën tënde të ndryshme dhe të ekspozuar të huajësimit? Rrjedhimisht a është ligji domosdo drejtësi? A mund të jesh qytetar pa qenë njeri? Paraprijnë sakrifica e empatia disa minutëshe para detyrave tjera e fitimit apo kemi mbërritur në pikën vlen e anasjelltas? A mund të ketë drejtësi e moralitet shoqëror pa pasur ndërgjegje e mëshirë? Apo e kemi banalizuar e stërkequr edhe këtë të fundit në formën më vulgare të saj? Morali i trios së 2 korrikëve. Ndryshuam shumë dhe nuk ndryshuam aspak! Nuk ndërruam sidomos në pikën e obligueshmërisë. Më 2 korrik 1990 deshëm të ishim akoma jugosllavë se ndryshe mos po pësojmë. 2 javë pas hyrjes së britanikëve prisnim që britanikët të na i largojnë edhe serbët e fundit të armatosur.  Ndërsa para 2 dite qamë e vajtuam se si na paska ikur edhe njerzillëku!

Shpërndaje në: