24 hektarë i dha ”hatri i Rashiqit”-Qysh i fali Kurti tokat për të cilat dikur e konsideronte tradhti
24 hektarë tokë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ia dha Manastriti të Deçanit në vitin 2024 kanë qenë kryeteme e ditës sot. Kjo pasi Nenad Rashiq deklaroi se Kurti ato hektarë tokë i dha për ‘’hatër të tij’’. Ndonëse në këmbim të tyre, Kosova do të anëtarësohej në KiE, sot e asaj dite ende nuk ka ndodhur, shkruan Periskopi.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.
Por si e mori Kurti këtë vendim?
Albin Kurti në vitin 2024 kishte urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Atë kohë Albin Kurti pati thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Siç thoshte Kurti, Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar.
“Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë agjencionit kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, kishte deklaruar Kurti.
Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?
Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, ka kërkuar marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.
Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.
Dikur si njeriu më i zëshëm kundër vendimit për tokat e manastirit, Kurti deklaronte kështu:
“Manastiri i Deçanit e ka oborrin e vet dhe unë jam dakord që duhet të ketë ca tokë që i nevojitet për punë dhe jetesë priftërinjve aty. Mirëpo, jo kjo të jetë në llogari të popullatës lokale. Në fund të fundit, ata priftërinj që janë në Manastir të Deçanit kanë nevojë për tre hektarë e katër, e kështu me radhë. Po çka i duhen 1 mijë hektarë? Çka do të bëjnë ata priftërinj aty me 1 mijë hektarë? Ajo është tepër shumë, për ata tepër pak njerëz që jetojnë e banojnë aty”, thoshte Kurti në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.
Sipas tij, xhamia, kisha, manastiri, sinagoga, teqja dhe tempujt e tjerë fetarë duhet të jenë të përqëndruar në aspektin shpirtëror e hyjnor të jetës dhe gjithësisë e jo në prona e pasuri.
“Ne kemi besuar që pas shpalljes së pavarësisë do të kemi ndëprerje të kësaj padrejtësie dhe çrrënjosje të saj e jo sforcim të saj, siç ishte rasti në Gjykatën Supreme, por mbase ky është dallimi i pavarësisë me vetëvendosje dhe pa vetëvendosje”, thoshte Kurti
Edhe, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dikur e sulmonte ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, duke thënë se Kushtetuesja i ka legjitimuar vendimet e Millosheviqit për dhënien e disa hektarëve.
“Ky vendim e shpronëson edhe komunën e Deçanit, prandaj të gjitha vendimet e viteve të 90 duhet të anulohen me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës. Kjo ka ngritur pakënaqësi të mëdha në Deçan, ku ka pasur disa herë protesta, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë komunalë dhe deputetë. Kjo tregon që vendimi ishte shumë i padrejtë”, kishte thënë Konjufca.
Pos liderëve të Vetëvendosjes, kjo kundërshtohej edhe nga Dega e Lëvizjës Vetëvendosje në Deçan.
”Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm ngase përveç se shpronëson punëtorët e ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” duke iu referuar legjislacionit të vitit 1997 ku këto prona në mënyrë të dhunshme nën kushte okupimi u bartën në pronësi të Manastirit të Deçanit, legjitimon edhe politikat fashiste, kolonizuese e gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve.
Është e habitshme se si institucione të larta si Gjykata Kushtetuese marrim një vendim për të legjitimuar vendimet e një regjimi që u cilësua si regjim kriminal e gjenocidal nga e gjithë bota në atë kohë’, thuhej mes tjerash në komunikatën e VV-së.



