60 miliardë dollarë, Senati pritet ta hedhë në votim sot ndihmën ushtarake për Ukrainën

60 miliardë dollarë, Senati pritet ta hedhë në votim sot ndihmën ushtarake për Ukrainën

Senati amerikan pritet ta hedhë në votim sot paketën e vonuar me ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila kap vlerën e rreth 60 miliardë dollarëve, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë tre ditë më parë pas shumë zvarritjeve.

Paketa, e cila përmban ndihmë tejet të nevojshme për ushtrinë e Ukrainës, pritet të kalojë në Senat gjatë ditës së sotme dhe t’i dërgohet presidentit amerikan, Joe Biden, deri kah fundi i javës për t’u nënshkruar.

Biden i tha dje gjatë një bisede telefonike presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Shtetet e Bashkuara “shumë shpejt do të ofrojnë paketa të reja dhe të rëndësishme të ndihmës për t’i plotësuar nevojat urgjente të Ukrainës për t’u mbrojtur”, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.

Ukraina është duke u përballur me trysni të madhe nga Rusia në muajt e fundit, për shkak se stoqet e saj me municione dhe kundërajrorë, janë duke u harxhuar dalëngadalë.

Sulmet e pareshtura me dronë dhe raketa nga Rusia në qytetet ukrainase u kanë shkaktuar dëme të mëdha civilëve dhe rrjetit energjetik të vendit gjatë këtyre dy vjetëve luftë.

Zelensky shkroi në rrjetin social X se Biden i kishte thënë se do ta nënshkruante paketën me ndiihmë për Ukrainën “menjëherë, sapo ta pranoj atë nga Senati”.

Senati mund ta kalojë paketën e madhe, 95 miliardë dollarë, e cila përmban ndihmë ushtarake edhe për Izraelin dhe Tajvanin gjithashtu, pasditen e 23 prillit, nëse arrihet pajtim shpejt për kohën e votimit. Nëse ka kundërshtime nga republikanët, atëherë ajo mund të hidhet në votim më 24 prill.

Zelensky i tregoi Bidenit gjithashtu edhe për një sulm në një kullë televizive në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili ndodhi pak para bisedës së tyre telefonike.

“E njoftova presidentin Biden gjithashtu për terrorin e ajror të Rusisë, e cila po i përdor mijëra raketa, dronë dhe bomba, përfshirë për një sulm në kullën televizive të Harkivit pak minuta para bisedës sonë”, tha Zelensky.

Sulmi raketor e çau në dysh kullën televizive 240 metra të lartë. /REL/

Shpërndaje në: