Vetëvendosje nuk do të marrë përgjegjësi për atë që do të ndodhë nëse ratifikohet demarkacioni
Mali i Zi ka bërë agresion duke hyrë brenda territorit të Kosovës dhe duke larguar flamurin kombëtar shqiptar ende pa u ratifikuar Marrëveshja për Demarkacionin, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi.
“Ende pa u ratifikuar Marrëveshja për Demarkacionin, policia e Malit te Zi ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka hequr flamurin, të cilin e kemi vendosur ne. Kjo ndërhyrje është agresion, sepse nuk ka as bazë juridike”, ka thane Kadaj-Bujupi në televizionin Rrokum.
Ajo ka shtuar se Kosova është dashur t’i dërgojë notë proteste Malit të Zi, dhe jo e kundërta.
“Kosova është dashur të bëjë notë proteste për veprimet e Malit të Zi, por Qeveria heshtë, sikurse heshtë edhe në raport me Serbinë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Kadaj-Bujupi ka paralajmëruar se nëse Marrëveshja për Demarkacion vjen në Kuvend për ratifikim, presidenti Hashim Thaçi dhe Qeveria do të mbajnë përgjegjësi për atë se çfarë do të ndodhë brenda dhe jashtë Kuvendit.
“Ne nuk japim përgjegjësi, nëse këta luajnë lojëra, duke i shantazhuar deputetët, siç kanë bërë në të kaluarën”, është shprehur Kadaj-Bujupi.



