Kërcënimet e Serbisë për luftë janë serioze
Kështu ka vlerësuar drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja në një intervistë për Periskopin, ku ka folur rreth ngjarjeve të fundit dhe sigurisë në vend.
Qehaja ka theksuar se në aspektin e thjeshtë ushtarak, sinjalet mund të përkthehen në një ri-mobilizim të formacioneve të organizuara para-ushtarake në veri të vendit të cilat do të veprojnë dhe përgatiten për një moment të volitshëm për të aneksuar përfundimisht pjesën veriore të vendit.
Ai ka potencuar se ka mundësi për orkestrimin e incidenteve të rënda ndër-etnike.
Sipas tij tendencat e Serbisë më shumë janë për përdorimin jo-konvencional të forcës, në formë të kamufluar dhe hibride bazuar në modelin rus në Krime apo në Donjesk të Ukrainës.
Duke folur për gatishmërinë e organeve të sigurisë për ndërhurje në situata që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme në vend, Qehajapotencon se kapacitetet vazhdojnë të jenë të kufizuara, duke përmendur mungesën e mjeteve dhe armatimit të duhur për Policinë e Kosovës dhe FSK-në.
Në këtë intevistë Qehaja ka folur edhe rreth shndërrimit të FSK-së në ushtri, mundësisë që Demrakacioni dhe Asocacioni të rrezikojnë sigurinë në vend, për atë që insitucionet mund të bëjnë për ruajtjen e sigurisë, për atë se a po zbehet mbështjeja e shteteve të fuqishme për sihurinë e Kosovës si dhe në lidhje me ndikimin që mund të ketë në sigurinë e Kosovës, afërsia e Rusisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Intervista e poltë:
Periskopi: Ngjarjet e fundit në vend, si treni nga Serbia dhe muri në Mitrovicë, po shihen me shqetësim për sigurinë. Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në vend dhe në çfarë dimensioni duhet të jetë shqetësimi?
Qehaja: Ngjarjet e fundit nuk duhet të shihen si të izoluara mirëpo ato duhet vlerësuar në kontekst. Dhe atë jo vetëm në kontekst të epizodeve në relacionin Kosovë-Serbi por edhe në relacionin Serbi shtetet tjera në rajon. Ka një rritje të arrogancës diplomatike të Serbisë e cila diku manifestohet me retorikë të luftës e diku me veprime konkrete provokative sikurse në Kosovë. Dhe, pavarësisht se qasja destruktive e Serbisë mund të shihet në nivel të tërë rajonit, pasojat thjesht të pasigurisë mund të ndjehen sidomos në Kosovë për vet faktin që ne ende nuk kemi rrumbullaksuar shtet-ndërtimin, qoftë në plan të brendshëm apo edhe atë të jashtëm.
Periskopi: Serbia ka kërcënuar Kosovën me luftë. A duhet të merret ky si një paralajmërim serioz për mobilizim më të shtuar të forcave të sigurisë?
Qehaja: Unë mendoj që kërcënimi është serioz. Ndoshta qëllimi final nuk është invazioni klasik ushtarak mirëpo caku kryesor është dështimi i shtetit të Kosovës: pra “rrëshqitja” e vendit nga një shtet i dobët në shtet të dështuar. E gjithë kjo po bëhet duke shfrytëzuar një momentum, sipas tyre, të volitshëm politik ndërkombëtar duke kalkuluar në përkrahje apo heshtje ndërkombëtare në kontekst të ndryshimeve politike në SHBA, daljes së Britanisë së Madhe nga BE, dobësimit të BE-së dhe rritjes së ndikimit të Rusisë.
Në aspektin thjesht ushtarak, sinjalet e kësaj retorike mund të përkthehen në një ri-mobilizim të formacioneve të organizuara para-ushtarake në veri të vendit të cilat do të veprojnë dhe përgatiten për një moment të volitshëm për të aneksuar përfundimisht pjesën veriore të vendit. Përderisa, në rrafshin diplomatik, politik e ekonomik qëllimi është që pjesa tjetër e Kosovës të sfidohet deri në atë masë sa që të lodhemi dhe gradualisht të rikonsiderojmë projektin e shtet-ndërtimit. Kësisoji, tendencat janë për “palestinizimin” e Kosovës ku shtet-ndërtimi do të vend-numëronte dhe shoqëria jonë do të varej nga veprimet apo mosveprimet e Serbisë. Mund të konsiderohet se betejat për anëtarësim në INTERPOL dhe UNESKO për këtë vit do të shërbejnë si test për shtet-ndërtimin tonë.
Periskopi: A mendoni se Serbia po i bën me qëllim provokimet e fundit ndaj sovranitetit të Kosovës? A mund të jetë që po bëhet gati për një mësymje tjetër ushtarake për të shkëputur përfundimisht Mitrovicën nga Kosova?
Qehaja: Unë mendoj që më shumë tendencat janë për përdorimin jo-konvencional të forcës. Pra, në formë të kamufluar dhe hibride bazuar në modelin rus në Krime apo në Donjesk të Ukrainës. Këtu mendoj në përgatitjen e formacioneve të organizuara nga Serbia por të cilat do të vepronin në brendi të territorit të Kosovës. Mos të harrojmë që nga 2012 Serbia ka humbur formacionet e organizuara ilegale që kishte sikurse MUP, Mbrojtja Civile etj mirëpo në anën tjetër ka centralizuar “rezistencën” serbe tek partia në pushtet në Serbi – SNS.
Krahas kësaj, konsideroj se ka mundësi për orkestrimin e incidenteve të rënda ndër-etnike. Retorika me referenca se “serbët janë të pasigurt” “kujdes nëse vrahet ndonjë serb” paralajmërojnë një skenar të Serbisë për “lehtësimin” e incidenteve ndër-etnike në mënyrë që ta vendosin Kosovën në një pozicion akoma më të pafavorshëm ndërkombëtar. Si rrjedhojë, kjo mund të përkthehet në koncesione të mëdha me Serbinë siç janë kërkesat për ndarje dhe ri-enklavizim.
Periskopi: A mendoni se mos-shndërrrimi i FSK-së në ushtri nga Serbia mund të shihet dobësi në sigurinë e Kosovës dhe të jap kërcënime të tilla?
Qehaja: Sigurisht se është dobësi dhe mbi të gjitha kjo duhet të i atribuohet institucioneve tona. Mbi 87% e qytetarëve janë në favor të shëndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur. Pra, Qeveria ka dështuar ta jetësoj një ndër projektet që ngërthen mbështetjen më të madhe popullore. Unë jam skeptik që krijimi i ushtrisë duhet të pritet me ndryshime kushtetuese: është thjesht e pamundshme që të procedohet me “Planin A”. Unë mendoj që Qeveria duhet të vendos si prioritet formimin e FAK dhe njëherazi të dërgoj mesazhe se, psh, nëse deri në qërshor të 2017 nuk ka mbështetje nga serbët për projektin e FAK, atëherë do të procedohet me “Planin B”. E ky plan ka të bëjë me ndryshimin e legjislacionit (jo Kushtetutës) dhe mundësisë së ndryshimit të mandatit e numrit të pjesëtarëve. Krejt çka nuk mund të ndryshohet është emri e që nuk do të duhet të paraqiste problem. E kjo do të mundësonte që brenda 5 viteve të ardhshme ne të arrijmë kapacitetet e pjeseshme ushtarake duke funksionalizuar p.sh Brigadën e Reagimit të Shpejtë (BRSH) në një Brigadë me elemente thjesht luftarak dhe përbërjet tjera me pajisjet e armatimit të lehtë të këmbësorisë.
Periskopi: Sa janë të gatshme organet e sigurisë së Kosovës për situata që rrezikojnë sigurinë në vend?
Qehaja: Mendoj se ka një vigjilencë dhe vërehet një maturi më e madhe. Megjithatë, kapacitetet vazhdojnë të jenë të kufizuara. P.sh njësitë speciale të Policisë ende varen nga armatimi i lehtë kurse i mungojnë më shumë autoblinda dhe sidomos helikopter. FSK në anën tjetër nuk ka rritur të furnizohet me pajisje dhe armatim brenda mandatit ekzistues. Kjo për faktin se ka pasur mundësi të shfrytëzoj mandatin ekzistues për këto qëllime.
Periskopi: Çka duhet bëjnë institucionet që të parandalojnë rreziqet?
Qehaja: Mendoj që para së gjithash duhet të mendojmë që të shmangim përdorimin e institucioneve të sigurisë si mjet i vetëm. Këto institucione duhet të hyjnë në veprim vetëm si mjet i fundit. Ajo çka të duhet të fuqizohet në këtë fazë është mbledhja e informacioneve nëpërmjet ciklit të inteligjencës. Është më se e rëndësishme që të vlerësojmë rrezikun në baza ditore, javore, mujore e vjetore dhe kësisoji të përgatitemi dhe mundësisht të parandalojmë aktivitetet në dëm të interesave nacionale. Mos të harrojmë se duhet rritja e performancës së diplomacisë në funksion të mirëmbajtjes së partneriteteve ekzistuese si dhe zgjerimit me partner të ri.
Periskopi: A rrezikohet siguria në vend nga demarkcioni me Malin e Zi ?
Qeahja: Demarkacioni dhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përbëjnë sfida të mëdha të brendshme në aspektin e sigurisë. Çdo vendim në dëm të interesave të Kosovës lehtësisht mund të përkthehet në dhunë. Dhe ajo çka është më e rrezikshmja është se akterët si Serbia me shumë vëmendje do të mundohen të shfrytëzojnë këto ngjarje për të përmbysur edhe ashtu rendin e brishtë në Kosovë.
Periskopi: A mendoni se e kemi mbështetjen e shteteve të fuqishme sa i përket sigurisë?
Qehaja: Mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdoj të mirëmbaj konceptin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Çdo konflikt dhe përplasje do të kishte pasoja shumë të mëdha edhe për perëndimin. P.sh rreziku ekziston se përplasjet në rajon mund të rrisin numrin e emigrantëve nga rajoni apo edhe ikjen e investitorëve. Edhe me ndryshimet e spektrit politik në Evropë nuk mund të pritet se shtetet do të qëndrojnë indiferente karshi zhvillimeve. Në këtë drejtim, besimi duhet të shihet në NATO-n e cila është vërtetë garante e paqës dhe sigurisë në Kosovë. Ndoshta mund të nën-vlerësojmë prezencën ekzistuese të NATO-s në Kosovë (dhe mbase përbërjen e saj) mirëpo mobilizimi do të vërehej brenda orësh dhe do të kishim zbarkim trupash elite.
Periskopi: A duhet që insitucionet ta shohin me shqetësim afërsinë e Rusisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, sa i përket sigurisë?
Qehaja: Unë mendoj që ka shumë paqartësi në këtë drejtim dhe nuk mund të gjendet ndonjë përgjigje e saktë në këtë fazë. Këto paqartësi mund të përkthehen në befasi, qoftë pozitive apo negative. Përderisa në këtë fazë ekziston një narracion pozitiv i Presidentit Trump dhe Sekretarit Tillerson ndaj Rusisë, akterët tjerë në Departamentin e Mbrotjes, CIA etj kanë sentiment të madh anti-Rusi. Mbetet të shihet mirëpo sipas vlerësimit tim, e keqja më e madhe që mund të na godet është rënia eventuale e mbështetjes nëpërmjet projekteve: jo për shkak ndryshimit të qëndrimit të SHBA-së por thjesht për shkak të ndryshimit të prioriteteve globale. /Periskopi/



