S’ka rezultate nga dialogu, Kosova ka president servil e Serbia ka president pasardhësin e Millosheviqit

S’ka rezultate nga dialogu, Kosova ka president servil e Serbia ka president pasardhësin e Millosheviqit

 

Kështu konsideron sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në një intervistë për Periskopin.

Duke përmendur moszbatimin e  marrëveshjeve të arrituar deri më tani me Serbinë, Molliqaj  ka potencuar se është çmenduri të priten rezultate tjera nga vazhdimi i dialogut me logjikën dhe personat e njëjtë.

Servilë e ka quajtur presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe politikanët tjerë që marrin pjesë në dialog, derisa ka shtuar se këto bisedime Kosovës do t’i sjellin vetëm dëme.

Ai, ka treguar se cilat veprime duhet t’i ndërmarrë Kosova karshi Serbisë.

Intervista e plotë:

Periskopi: A  duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë?

Molliqaj: Vazhdimi i dialogut me Serbinë është i pakuptueshëm dhe i paarsyeshëm edhe nëse e lejmë anash faktin që ky dialog në thelb është i padrejtë dhe i pabarabartë. Është i pakuptueshëm dhe i paarsyeshëm ngase rezultatet e këtij dialogu, prej kur ka filluar e deri sot, kanë qenë përherë në dëm të Republikës së Kosovës. Është premtuar integrimi i veriut të vendit, kjo ka dështuar; është premtuar shuarja e strukturave paralele, ato veç sa janë forcuar; është premtuar integrimi i Kosovës në organizatat dhe nismat ndërkombëatre, kjo ka dështuar; është premtuar integrimi i policisë dhe gjyqësisë, kjo ka dështuar; është premtuar heqja e barrikadave, kurse në vend të heqjes së tyre janë ndërtuar mure; është premtuar integrimi i minoritetit serb, kurse gjatë negociatave dhe përmes tyre veç sa është rritur hendeku në mes të minoritetit serb dhe pjesës tjetër të popullsisë së Kosovës. Këto janë vetëm disa nga dështimet. Çdo marrëveshje, çdo rezultat i dialogut, pa asnjë përjashtim ka qenë në dëm të Kosovës.

Periskopi: Si e komentoni që tani dialogu po kalon në  nivel presidentësh?

Molliqaj: Do të ishte çmenduri të presim rezultate tjera nga vazhdimi i dialogut me logjikën dhe personat e njëjtë. Kosova ka një president jolegjitim, që nuk përaqëson as gjysmën e popullatës, kurse Serbia ka një president që ndjek politikat e Millosheviqit. Presidenti ynë jolegjitim dhe servil, është i gatshëm të lëshojë pe ndaj këtyre politikave shoveniste, vetëm sa për të ruajtur pushtetin e tij dhe për të siguruar ndonjë takim të rëndësishëm ndërkombëtar. Vetë vendimi i shkuarjes në negociata edhe pas gjithë këtyre provokimeve nga ana e Serbisë, është kompromis dhe si i tillë do të prodhojë vetëm kompromise të reja në dëm të Kosovës.

Periskopi: Me vazhdimin e dialogut pas ngjarjeve te fundit, a mendoni se institucionet po i shohin më të rëndësishme raportet ndërkombëtare se situatën e brendshme?

Molliqaj: Problemi është që ne kemi një qeveri dhe një president që e kanë defaktorizuar veten dhe popullin e Kosovës në raport me situatën e brendshme dhe prandaj ata nuk kanë guxim dhe mundësi të marrin asnjë vendim të brendshëm pa shkuar në negociata me Serbinë. Pra deri këtu ka degraduar shtetësia e Kosovës. Sot, Kosova nuk mund të vendosë për sovranitetin e vet, për territorin dhe ekonominë e vet, pa e diskutuar këtë gjë paraprakisht me Serbinë. Dhe kjo situatë është rezultat i mënyrës së qeverisjes së politikanëve servilë që i kemi në pushtet. Kosova mund të bëhet faktor dhe t’i rregullojë e forcojë raportet ndërkombëtare vetëm atëherë kur të ketë një qeveri e cila vepron si qeveri e një shteti sovran dhe e cila nuk pranon që sovraniteti dhe territori i shtetit të vihet në diskutim. Të tjerët do të na marrin seriozisht, vetëm atëherë kur ne do ta marrim seriozisht veten tonë. E njëjta vlen edhe me Serbinë. Ajo do t’i ndalë planet e saj hegjemoniste vetëm atëherë kur e di që në Kosovë është në pushtet një qeveri që nuk pranon kompromise dhe që është e gatshme ta mbrojë sovranitetin e Republikës me çdo kusht.

Periskopi: A po zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani? Nëse jo,  cila është logjika e vazhdimit të bisedimeve?

Molliqaj: Marrveshjet e arritura deri tani, po zbatohen, por vetëm në ato pika ku Serbisë i konvenon më shumë se sa në pikat tjera. Sidoqoftë, një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe shpresdhënës është mos-vazhdimi i krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (“Zajednicës”) dhe ky është rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjes një vjeçare opozitare. Serbia duke e parë që “Zajednica” nuk po formohet, ka filluar të bëjë provokime në mënyrë që të kërcënojë para bashkësisë ndërkombëtare me destabilitet dhe kështu të rris trysninë e kësaj të fundit ndaj Qeverisë së Kosovës për të formuar “Zajedncën” dhe për të bërë kompromise të tjera. Problemi është që pranimi i vazhdimit të negociatave nga këta politikanë servilë që janë në pushtet, është automatikisht pranim i këtyre kompromiseve. Është dorëzim para Serbisë dhe trysnisë së saj dhe është pranim që të zbatohet “Zajednica” në mënyrën se si e kërkon Serbia atë. Normalisht që ky pranim i tyre nuk nënkupton edhe pranimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe çfarëdo tentimi i ri për të krijuar “Zajednicën” do të përballet me revoltë dhe protesta masive, më të mëdha e më të fuqishme se sa vitin e kaluar.

Periskopi: Si duhet vepruar Kosova, pas provokimeve që i bëri Serbia në veri dhe a duhet të vendos kushte mbi tavolinën e bisedime?

Molliqaj: Kosova fillimisht duhet të sillet si shtet sovran që për problemet e saj të brendshme negocion me qytetarët e saj e jo me shtetin armik. Kosova duhet të negociojë me minoritetin serb rreth integrimit të tij në shoqërinë kosovare. Paralelisht me këtë, duhet të ketë zhvillim ekonomik që rezulton nga rritja e prodhimit vendor, dhe që do të rezultonte edhe integrim më të lehtë të minoritetit serb. Në raport me Serbinë, ne nuk duhet të ulemi në tavolinë me këtë shtet pa përmbushjen e disa kushteve siç janë njohja e shtetit të Kosovës, kthimi i të pagjeturve, kërkimfajla dhe dëmshpërblimi për krimet e luftës, ndalja e represionit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc si dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike, socilale e politike të tyre, kthimi i artefakteve dhe fondit pensional, etj. Pa përmbushjen e këtyre kushteve, negociatat me Serbinë janë nënshtrim dhe kompromise, që përherë e më shumë do ta dobësojnë sovranitetin dhe ekonominë e shtetit tonë si dhe do ta zvogëlojnë territorin tonë./Periskopi/

Shpërndaje në: