Analiza e Akademisë: Marrëveshja e Uashingtonit, i shkaktoi dëm të madh Kosovës

Analiza e Akademisë: Marrëveshja e Uashingtonit, i shkaktoi dëm të madh Kosovës

Analiza e Akademisë së Shkencave të Kosovës, me titull “Synimet destabiliziuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”,  konstaton se ‘Marrëveshja e Uashingtonit’ i shkaktoi dëm të madh Kosovës.

“Ndërkohë, Marrëveshja e Uashingtonit” e shtatorit të vitit 2020, në të cilën u përfshi edhe një lloj moratorium njëvjeçar i Kosovës për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe i Serbisë për ç’njohje, gjithashtu i shkaktoi dëm të madh Kosovës, sepse një çështje të saj legjitime, e shndërroi në çështje që duhet të marrë edhe miratimin e Serbisë’, thuhet në analizë.

Kujtojmë se para pak ditësh, nënshkruesi i Marrëveshjes së Uashingtonit, ish-kryeministri Avdullah Hoti, përmes një reagimi – por që e kishte për Presidenten dhe Kryeministrin, shkruante:

Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën

Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin.

Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri.

Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:

– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në.

– Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri.

Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre./Periskopi/ 

 

Shpërndaje në: