BE: Kosova ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushte
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën se Policia e Kosovës ka mandat për t’i hetuar sulmet që i janë bërë në Banjskë të Zveçanit më 24 sthator, ndërsa Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa është pyetur për dëshmitë e fundit të publikuara nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë sulm.
Ai e ka përsëritur se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur, dhe në bazë të tyre të marrin vendime vendet anëtare, pëfshirë edhe ndonjë masë të mundshme ndaj Serbisë.
I pyetur rreth përgjegjësisë që e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq për sulmin, dhe a do të ndihmojë BE-ja që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë vetëm se blloku evropian pret “bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia“, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre”.
“E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiq. Të gjitha faktet duhet të verifikohen dhe të zbardhen. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. Ne nuk e bëjmë angazhimin tonë përmes mediave, por përmes kanaleve tona“, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
I pyetur për deklaratat e Beogradit se misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, nuk është lejuar të marrë pjesë në hetime, Stano ka thënë se “EULEX-i nuk ka nevojë për zëdhënës që flet në emër të këtij misioni nga ana tjetër, por e ka zyrën e vet për këtë“.
“Secilën ditë dalin dëshmi të reja. Nuk i komentojmë, por presim rezultate përfundimtare që i sqarojnë të gjitha rrethanat e sulmit terrorist. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. BE ka thënë qartë se jemi gati të vendosim masa edhe ndaj Serbisë, nëse vendet anëtare vlerësojnë se kanë dëshmi të mjaftueshme“, ka thënë Stano.
Zëdhënësi i BE-së nuk ka lënë asnjë dyshim se mandatin për ta hetuar rastin e Banjskës e kanë autoritetet e Kosovës.
“Kjo ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe hetimet i bën Policia e Kosovës. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me të“, ka thënë ai.
I pyetur se e ka kuptim vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në këtë situatë, pasi edhe Serbia në dhjetor mund të shkojë në zgjedhje, zëdhënësi i BE-së ka thënë se BE-ja dhe partnerët e saj e shohin pikërisht vazhdimin e dialogut si mënyrën e vetme për t’i zgjidhur problemet.
“Gjithmonë ka cikle të zgjedhjeve. Por duhet të rifillojmë dialogun, sepse është rruga e vetme për normalizim të raporteve. Sikur të kishte normalizim, nuk do të kishim situatën që kemi. Prandaj bëjmë thirrje nga BE-ja dhe partnerët që palët t’i kthehen dialogut“, ka thënë Stano.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.