Shokët e Liburn Aliut dhe Hysen Durmishit përfitojnë në tenderin mbi 34 milionë euro, hise merr edhe “Daja i Vetëvendosjes”
Tri konzorciume me vlerë hiç më pak se mbi 34 milionë euro janë dhënë nga Ministria e Liburn Aliut, për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Njëra nga kompanitë që është lidere në pjesën e tretë të kontratës është “Eurokos Holding SH.P.K” – kompani kjo e cila vitin e kaluar kishte përfituar hise nga një tender 30 milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve, në konzorcium me kompanitë “VIA.sh.p.k” dhe “Kosova Asfalt”. Kjo e fundit është pronë e Valdrin Shabanit, djali i Bujar Shabanit, i njohur tashmë edhe si shoku i ngushtë i Hysen Durmishit. Tjetër “veçanti” e këtij tenderi është edhe pjesëmarrja e “dajës së Vetëvendosjes”. Periskopi iu sjell detajet në vazhdim…
Enis Rrustemi – Periskopi
Ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë është e ndarë në tre lote. Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, të martën i ka rekomanduar për kontrata të ndara në këto lote, tri bashkësi të ndryshme të operatorëve ekonomikë, dy të kryesuara nga kompani ndërtimore vendore dhe një tjetër i udhëhequr nga një kompani nga Tirana.
Për tri llotet e tenderit, Ministria i ka rekomanduar për kontratë ofertat me çmimin më të ulët të përgjegjshëm. I ka eliminuar si të papërgjegjshme disa oferta më të ulëta sesa ato fituese.
Kompania “Eurokos Holding”, ka hise në tri lotet për ndërtimin e kësaj rruge. Ajo si lidere, është në konzurcium me kompanitë “Alfa.i”, “El Bau”, “Agim Morina B.I”, “World Medium”, “Adnan Bislimi b.i”.

Në lotin e parë për këtë grup operatorësh ekonomik janë ndarë 8,752,850.42 euro.

Në lotin e dytë janë ndarë 17,449,559.44 euro, teksa në lotin e tretë janë ndarë 8,399,736.55 euro.


E gjitha kjo, kap vlerën e hiç më pak se 34,549,213 euro.
Kush është kompania e cila po punon në ndërtimin e kësaj rruge dhe ka pronar “Dajën e Vetëvendosjes”?
Kompania ALFA.i, është njëra nga kompanitë e cila është në konzorcium në tre lotet dhe pronar i kësaj kompanie është Halil Jahaj, apo siç njihet ndryshe si “Daja i Vetëvendosjes”.
Vite më parë, Halil Jahaj është quajtur “Daja i Vetëvendosjes” nga aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Pajtim Demaj.
Epiteti i ishte dhënë në një mbishkrim mbi një fotografi të publikuar nga Demaj, në të cilën shfaqeshin pranë njëri-tjetrit “daja” dhe nipi i tij, Florent Ramqaj, ish-këshilltari i ministrit Liburn Aliu.

Fotografia ishte realizuar pas një loje basketbolli gjatë fushatës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Se “daja” është i afërt me Vetëvendosjen, tregon edhe një fakt tjetër. Ai ka qenë financues i Vetëvendosjes në vitin 2021, tregojnë të dhënat e pasqyrës financiare të Lëvizjes Vetëvendosje të publikuara më 2022.
Dajë e nip, Jahaj e Ramqaj, ishin përmendur në një aferë korruptive të publikuar nga gazeta Nacionale dy vite më parë.
Nacionale ka raportuar për përfshirjen e një kompanie tjetër në pronësi të familjes së Halil Jahajt në një aferë me një kontratë publike të Ministrisë së Infrastrukturës, në të cilën asokohe nipi i tij Florent Ramqaj punonte si këshilltar në kabinetin e ministrit Aliu.
Kompania “Infratek”, e përfshirë në këtë aferë, është pronë e Florije Jahajt, një familjareje të Halil Jahajt.
Sipas incizimit të publikuar nga Nacionale, një përfaqësues i kompanisë “Infratek” kërkonte ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi privat për dorëzimin e një raporti në Ministrinë e Infrastrukturës për punët e kryera rreth punimeve të kryera në rrugën Gjakovë-Dollc.
Kompania e Jahajt kishte për detyrë që të shkruante raporte për punët e kryera nga kompanitë e caktuara për punimet në rrugën Gjakovë-Dollc. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parasheh ligji, përfaqësuesi i kompanisë ‘Infratek’ dëgjohej duke keqpërdorur detyrën zyrtare për të marrë përfitime financiare.
Për këtë rast, në qershor të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit kishte njoftuar nisjen e hetimeve për rastin e dyshuar korruptiv. Prokuroria nuk ka njoftuar ende rezultatin eventual të procedurës hetimore për këtë rast.
Gati dy vite pas publikimit të kësaj afere, Florent Ramqaj ka ndërruar anë. Nuk është më zyrtarisht pjesë e pushtetit. Ka kaluar në krahun e dajës.
Ish-këshilltari i ministrit Aliu dyshohet se është rikthyer të punojë si drejtor i Administratës dhe Financave në kompaninë ALFA.i, në pronësi të dajës së tij. Bazuar në profilin e Ramqajt në rrjetin social LinkedIn, ai është larguar para nëntë muajsh nga kabineti i ministrit Aliu dhe në dhjetor të vitit të kaluar, është rikthyer të punojë në kompaninë e dajës së tij.
Në fund, vlen të theksohet edhe kompania “EL-BAU”. Kjo kompani, si asnjë tjetër – në dy vitet e fundit ka fituar nga Komuna e Gjilanit dhjetëra tenderë, në kohën kur po qeverisë. Alban Hyseni i VV-së. /Periskopi/



