Pas Bislimit edhe Gërvalla-Schwarz për mediumin ukrainas përmend luftën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve mund të çojë në një luftë të re në Ballkanin Perëndimor.
“Ky plan nuk zgjidh probleme, por krijon të reja për të gjithë rajonin. Precedenti i ndryshimit të kufirit në Ballkan mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe mund të nisë një luftë të re,” ka pohuar Gërvalla-Schwarz, për platformën ukrainase të lajmeve “European Pravda”.
Alternativa, ndaj kësaj ideje thotë ajo, është “puna jashtëzakonisht komplekse e integrimit” të komunitetit serb në Kosovë.
Gërvalla shton tutje se Kosova nuk ka probleme me qytetarët tanë me origjinë serbe, por me qeverinë e Serbisë.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se shteti ynë duhet të jetë gati për luftë, pasi shton se një sulm hibrid nga Serbia gjithmonë mund të fillohet kundër nesh.
Megjithatë ai thotë se një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it.