Deputeti i VV-së i përgjigjet Kurtit për Kodin Civil: Asnjë njeri nuk mund të më bind të ndryshojë mendim
Ndonëse kishte dështuar të votohet në Kuvendin e Kosovës projektligji për Kodin Civil, kryeministri Albin Kurti është zotuar se do të angazhohet personalisht të ndërtojë një shumicë parlamentare në mënyrë që sipas tij të mbështetet kjo nismë.
Kurti këtë zotim e ka bërë në një fjalim të mbajtur në Berlin, në kuadër të një organizimi të Partisë Socialdemokrate gjermane.
Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani deklaron se në këtë mandat nuk do të jetë në votim Kodi Civil.
Ai në një prononcim për KP përsëriti qëndrimin kundër, duke theksuar se nuk do të votojë asnjëherë një ligj të tillë.
Sipas tij, ka më shumë deputetë kundër këtij ligji se para dy vitesh.
“Eman Rrahmani nuk do ta votojë asnjëherë një ligj të tillë i cili e cenon familjen… Jo Armend Muja po asnjë njeri tjetër nuk mund ta bind jo vetëm mua por asnjërin prej deputetëve për të ndryshuar mendim”, tha ai.
Më tej, ai deklaroi se në këtë mandat nuk do të jetë prapë në votim Kodi Civil.
“Krejt presionin e mundshëm që e kanë pasur e kanë bërë para dy viteve edhe nuk kanë arritur të bëjnë as 30 vota, çdo tentativë… edhe sot ka shumë më shumë deputetë që e votojnë kundër se sa që ka pasur para dy vitesh. Në këtë mandat, Kodi Civil nuk vjen më në kuvend hiç”, deklaroi ai.
Kuvendi i Kosovës ka provuar ta kalojë Projektligjin për Kodin Civil, në mars të vitit 2022, por 16 deputetë të Kuvendit nuk morën pjesë fare në votim, 28 vota kundër, 28 për dhe katër abstenime.
Një pjesë e madhe të deputetëve të Vetëvendosjes, e kanë kundërshtuar Kodin Civil te pjesa e martesave të gjinisë së njëjtë.