Prokuroria autorizon Policinë të ndërmarr veprime hetimore për sulmin verbal të Sami Kurteshit ndaj gazetarëve

Prokuroria autorizon Policinë të ndërmarr veprime hetimore për sulmin verbal të Sami Kurteshit ndaj gazetarëve

Prokuroria e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të ndërmarr veprime hetimore lidhur me sulmin verbal të Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ndaj gazetarëve.

Në një përgjigje për Dukagjinin, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar lajmin, transmeton Periskopi.

“Lidhur me pyetjen tuaj e konfirmoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës me ndërmarrjen e veprimeve hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për Dukagjinin.

Pyetjeve të gazetares së “Nacionale”, Sami Kurteshi u kishte refuzuar t’u përgjigjej, duke i thënë asaj se: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë“.

Lidhur me deklarimet e Kurteshit, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Sipas AGK-së, gjuha e përdorur nga Kurteshi është e rrezikshme.

“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve” – thuhet në reagimin e AGK-së më 12.03.2025.

Shpërndaje në: