Bayern-i me 6 mungesa ndaj Inter-it, 4 prej të cilëve titullarë
Trajneri i Bayern Munich-ut, Vincent Kompany do të duhet të bëjë pa të paktën gjashtë lojtarë, katër prej të cilëve titullarë, në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Champions League ndaj Inter-it.
Bayern-i ka pësuar një goditje të rëndë nga dëmtimet këtë fund sezoni, me Jamal Musiala-n që bëhet më i fundi i një liste të gjatë.
Musiala pësoi një dëmtim të rëndë muskulor gjatë fitores 3-1 në Bundesliga ndaj Augsburg-ut të premten, dhe ekziston mundësia që ai të humbasë pjesën e mbetur të sezonit, raporton AP, përcjell Periskopi.
Musiala bashkohet kështu me Dayot Upamecano-n, Alphonso Davies-in, Kingsley Coman-in, Manuel Neuer-in dhe Hiroki Ito-n që do të mungojnë në ndeshjen e kësaj të marte në “Allianz Arena”.
Serge Gnabry, i cili është në formë të mirë, dhe Thomas Muller, i cili do të largohet në fund të sezonit pas 25 vitesh me Bayern-in, janë në linjë për të marrë vendin e Musiala-s në formacionin bavarez.
Njëri prej tyre do të rreshtohet përkrahë treshes së pazëvendësueshme Michael Olise, Leroy Sane dhe Harry Kane, më këtë të fundit që mori një goditje në kavilje kundër Augsburg-ut, por pritet të jetë mirë për përballjen me Inter-in.
Kapiteni Joshua Kimmich është shtylla kryesore e mesfushës, por Kompany po përballet me një dilemë kritike nëse do të jetë partner me Joao Palhinha-n apo Leon Goretzka-n.
Mungesat në mbrojtje nënkuptojnë se fillimi për Eric Dier-in, Kim Min-jae-n dhe Konrad Laimer-in në prapavijë janë të sigurta, por Kompany mund të ndërrojë mbrojtësit e majtë dhe të qëndrojë me Raphael Guerreiro-n, i cili ka më shumë përvojë në atë pjesë të fushës se Josip Stanisic-i.
Numri “një” Neuer nuk është përjashtuar ende nga përballja, por shanset e tij janë tepër të pakta, kështu që Jonas Urbig duhet të veprojë si linja e fundit e mbrojtjes.
Formacioni fillestar i mundshëm i Bayern-it, 4-2-3-1: Urbig; Laimer, Kim, Dier, Guerreiro; Palhinha, Kimmich; Olise, Muller, Sane; Kane.



