Vendimi i pa ligjshëm i ministres dhe deputetes Rozeta Hajdarit për çmimet tavan të derivateve
Vendimet i merr si ministre, por ligji e thotë ndryshe. Rozeta Hajdari, mund të konsiderohet rast i rrallë në legjislaturën e Kosovës, momentalisht është edhe ministre edhe deputete e zgjedhur. Ajo më 4 prill ka marr një vendim për çmimet tavan të derivateve të naftës, por tek më 7 prill e ka njoftuar opinion përmes faqes zyrtare të ministrisë në Facebook. Vendimi as nuk është i nënshkruar e as protokolluar, siç e parasheh rregulli i funksionimit të një institucioni. Veprimi i Hajdarit vë në dyshim komplet bazën ligjore.
Në publikimin e ministrisë nuk është treguar se në cilin nen dhe ligj është bazuar vendimi, vetëm se është sqaruar se marzha e fitimit për shitësit me shumicë do të jetë 2 cent për litër dhe për shitësit me pakicë 12 cent për litër.
Periskopi e ka siguruar vendimin e ministres Hajdari që e ka marr më 4 prill që thirret në Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtrishme.
Por në nenin që është thirrur Hajdari, e sqaron se ”Qeveria me akt nënligjor të propozuar nga Ministri përcakton rregullimin e çmimeve dhe masa të tjera mbrojtëse në këto raste: 2.1. mungesa e papritur dhe e vazhdueshme e produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme; 2.2. fatkeqësia natyrore; 2.3. mospërshtatja e çmimeve vendore me lëvizje të mëdha të çmimeve në tregun botëror; 2.4. dallimi i pajustifikueshëm i çmimeve vendore nga çmimet në vendet fqinje”, thuhet në nenin 15-të.

Hajdari ka nxjerrë vendimin pa e propozuar më parë ndonjë akt nënligjor dhe pa e proceduar për miratim në Qeveri. Për më tepër, vendimi as nuk është nënshkruar dhe as nuk është protokolluar, në kundërshtim me rregullat shtetërore që rregullojnë funksionimin e institucioneve publike.


A i lejohet vendimi i tillë ministres-deputetes?
Nisur nga Ligji për Zgjedhje, që parasheh se një ditë para se të certifikohen zgjedhjet zyrtarisht nga KQZ-ja, një ministër që ka fituar mandatin e deputetit, duhet të dorëhiqet, mirëpo Hajdari vazhdon t’i kryej funksionet e ministres dhe njëkohësisht është deputete e Kuvendit.
Këtë anamoli ligjore e shpjegon avokati, Xhevdet Smakiqi, duke e vlerësuar se vendimi i Hajdari nuk ka asnjë bazë ligjore dhe ky vendim nuk duhet të respektohet nga operatorët ekonomik.
Asnjë bazë ligjore nuk e ka ky vendim konsideron Smakiqi.

”Rrjedhimisht vendimi i Minstres Hajdari përveç qe eshte ne kundërshtim me nenin 15 par 1 te Ligjit është edhe në kohën kur ministrja është në detyrë respektivisht nuk ka mandat pas certifikimit te zgjedhjeve. Për mendimin tim ky vendim nuk ka asnjë vlerë jurdike dhe nuk i obligon operatorët në treg që ta zbatojnë për shkak të arbitraritetit dhe mungesës se bazës ligjore. Me fjalë tjera ndikon negativisht në ekonominë e Kosovës”, thotë Smakiqi për Periskopin.
Sipas tij, vendimi që është mbështetur ne nenin 15 te Ligjit në fuqi që rregullon sektorin e tregut të naftës në Kosovës, ”ky vendim i ministres është arbitrar ndërhyrje në tregun e lirë të tregut të karburanteve dhe në kundërshtim me gjendjen faktike ne tregun e karburanteve”.
”Po ta vështrojmë në tërësi nenin 15 te ligjit një akt nënligjor për të ndërhyrë në çrregullimet e tregut për arsyet e përshkuara në këtë nën ingerercat per nxjerrjen e aktit nenligjor qe mund te jete nje UA apo nje vendim i atrobuohet Qeverise dhe jo Minstrit te Tregtise”, thotë Smakiqi.
Qeveria Kurti ka refuzuar ta zbatojë ligjin e zgjedhjeve, nga ministrat që janë bërë deputet. Opozita iu ka kërkuar ministrave që ta zbatojnë ligjin që vet e kanë votuar, por kjo është refuzuar./Periskopi/



