Edhe pas 9 muaj, Gjykata Kushtetuese ende pa vendim për Ligjin e ri për KPM-në – Presidenca në heshtje

Edhe pas 9 muaj, Gjykata Kushtetuese ende pa vendim për Ligjin e ri për KPM-në – Presidenca në heshtje

Janë bërë plotë 9 muaj që kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM). Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurti insistonte se ka përpiluar një ligj të drejtë në linjë me standardet evropiane kurse nga Presidenca nuk pati reagime.

Zana Rugova

Miratimi i një ligji të ri për KPM-në, kishte ngjallur reagimin e organizatave e gazetarëve në Kosovë dhe Evropë, derisa kundërshtime pati edhe nga BE-ja, OSBE-ja e Këshilli i Evropës.

Nga Gykata Kushtetuese në një përgjigje me shkrim për Periskopin, thonë se lënda është ende në shqyrtim.

”Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit.Sapo të merret vendimi, Gjykata do të njoftojë me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinionin”, thuhet në përgjigje.

Ligji për KPM-në, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se është kundër lirisë së mediave.

AGK-ja kishte kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani që të formojë qëndrim rreth këtij ligji, por tash e gati një vit nuk ka reagim nga Presidenca.

Edhe Federata Evropiane e Gazetarëve dhe disa organizata të tjera kishin shprehur shqetësimet e tyre dhe kanë kërkuar, fillimisht nga Gjykata Kushtetuese që ta hedh poshtë ligjin dhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të ritheksojë përkushtimin e saj për promovimin dhe ruajtjen e lirisë së mediave në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje Gjykatës që të përdorë mandatin e saj për të shfuqizuar ligjin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Presidentes Osmani që të dënojë publikisht ligjin dhe të ritheksojë përkushtimin e saj për promovimin dhe ruajtjen e lirisë së mediave në Kosovë”, thuhej në komunikatën e Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?

Projektligji i miratuar më 11 korrik 2024, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.

Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.

Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.

Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.

Ndërkohë, për këtë projektligj, ditë më parë ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.

Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./PERISKOPI/

Pushteti u gozhdua nga ndërkombëtarët – çka parasheh Ligji për KPM-në që pritet të dërgohet në Kushtetuese

Shpërndaje në: