Gjykata Kushtetuese e vlerëson si antikushtetues Ligjin e ri për KPM-në
Ligji i ri për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) është antikushtetues. Kështu ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese, pas 9 muajsh që kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin dërguar në Kushtetuese për interpretim Ligjin për KPM-në, raporton Periskopi.
Gjykata Kushtetuese kështu ka marrë vendim.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se disa paragrafe të neneve të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata, njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1 dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme”, thuhet në njoftim.
“Lidhur me këtë, Aktgjykimi thekson se i takon Qeverisë dhe/ose Kuvendit që gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar të shqyrtojë tutje çështjet e ngritura përkitazi me përkufizimet/definicionet, si dhe obligimet që
parashihen nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim sa i përket legjislacionit të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Aktgjykimi që do të publikohet vë theksin në nevojën për
gjithëpërfshirje dhe mundësinë për konsultime përmbajtjesore gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar, duke pasur parasysh ndikimin që i njëjti ka në funksionimin e mediave në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar juristja e medias, Flutura Kusari.
”Ligji për Komisionin e Pavarur për Media është JOKUSHTETUES. Ligji shfuqizohet!”, ka shkruar ajo.
Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?
Projektligji i miratuar më 11 korrik 2024, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.
Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.
Ndërkohë, për këtë projektligj, ditë më parë ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.
Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./PERISKOPI/



