Lahi Brahimaj: Fatmir Limaj e ka kuptuar që Albin Kurti nuk e mban fjalën
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, i cili transmetohet në Periskop dhe T7, duke folur për seancën e fundit të Kuvendit, ku kryetari i NISMA-së tha se duhet të hapet rrugë nga partia e parë për t’i zgjedhur organet e Kuvendit, tha se Limaj e ka kuptuar se Albin Kurti nuk e mban fjalën.
“Është e vërtetë që e dëgjova, por zoti Limaj, në të gjitha seancat e mëhershme, ka folur pak më ndryshe. Me gjasë, kjo që tha dje lidhet me faktin që takimi i fundit nuk përfundoi mirë dhe siç duket, ai e ka kuptuar që Albin Kurti nuk po e mban fjalën”.
Ai theksoi se kërkesa për një emër konsensual është bërë qartë edhe nga Ramush Haradinaj dhe pjesa tjetër e opozitës.
“Nëse kryeministri në detyrë nuk i ka 61 vota, duhet të negociojë me partitë e tjera dhe të gjejë një figurë më bashkuese, jo përçarëse”, tha ai.
Sipas tij, megjithëse Kushtetuta ia njeh të drejtën partisë së parë për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, kërkesa është që emri të mos jetë vetëm në shërbim të një partie, por të ketë një mbështetje më të gjerë.
“Askush nuk po kërkon që emri të vijë nga ndonjë parti tjetër. Po kërkojmë që kandidati të jetë i pranueshëm për më shumë se një grupim politik, në mënyrë që përgjegjësia për vonesat të mos bjerë mbi opozitën, por mbi partinë e parë”, tha ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të kaluara politike, ai kujtoi se në asnjë palë zgjedhje Vetëvendosje nuk e ka votuar kandidatin e shumicës për Kryetar Kuvendi.
“Kur u zgjodh Kadri Veseli, Albin Kurti doli në foltore dhe i tha: ‘Çu Kadri matu, nuk i ke numrat.’ Sot, është e njëjta situatë”, ka thënë Brahimaj.
Sipas tij, është detyrë e partisë fituese të sigurojë mbështetjen e duhur për kandidatin e saj.
“Nëse nuk i ka 61 vota, duhet të negociojë dhe të propozojë një emër kompromisi. Si alternativë, zoti Haradinaj ka ofruar dy emra që mund të diskutohen”, tha ai./Periskopi/



