Mëngjes i kobshëm për Prizrenin: Krejt çka dihet nga rasti familjar atje – Një e vdekur e dy të plagosur
Ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të së martës në Prizren.
Një shtetas turk me banim në Prizren dyshohet se ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçe dhe ka plagosur rëndë vajzën tjetër, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu, lëndime ka marrë edhe gruaja 35-vjeçare e të dyshuarit.
I dyshuari 45 vjeçar, Mehmet Görenç., i lindur më 1981 raportohet se ka plagosur veten dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Në konfirmimin e Policisë për Periskopin sqarohet se emergjenca mjekësore nuk ka arritur t’i japë ndihmë në vendin e ngjarjes viktimës, për shkak se aty ndodhej i dyshuari me thikë në dorë.
“Në vendngjarje është kuptuar se një i dyshuar, M.G., viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë. I dyshuari ka lënduar veten gjithashtu dhe gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lëndime ka pësuar edhe e shoqja e tij 35 vjeçare”, thuhet në njoftim të Policisë rajonale.
Vajza e lënduar 10 vjeçare është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, e cila tani e ka gjendjen stabile.
Nga QKUK kanë folur për Periskopin.
“Vajza është duke u trajtuar në QKUK. Gjendja e saj është stabile”, deklaroi për Periskopin, Naser Syla nga Emergjenca.
Edhe Mjeku i emergjencës, Afrim Jahaj në Prizren ka treguar për Periskopin se 10 vjeçarja ka pasur lëndim në qafë nga mjeti i mprehtë, derisa pak minuta më vonë i dyshuari për aktin është paraqitur vetë në emeregjencë për të marrë edhe vetë trajtim mjekësor.
“Pacientja ka ardhur në qendrën emergjentë në ora 6:15 me një plagë në qafë, edhe pas trajtimit në ORL, është transferuar për në QKUK. Për momentin gjendja ka qenë stabile. Mandej personi i cili e ka shkaktuar këtë akt ka ardh në ora 6:30, vet personi, edhe ai i ka pas tri plagë që i ka shkaktuar vetes, për momentin ai është ende në emergjencë, është duke u trajtu hala. Në lukth, në krahë, ka në dorë. Dhe tash në ora 9:00 ka ardh gruaja e vet për tretman për shkak që ka pas dhunë fizike prej bashkëshortit të vet, lëndime diçka trupore kjo nuk ka”, tha Jahaj më parë për Periskopin.



