Shqipëri, operacion ndaj grupit të kontrabanduesve të cigareve, SPAK-u u mbështet edhe nga autoritetet e Kosovës
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatës ditës se sotme, 28.05.2025, ka zhvilluar një operacion lidhur me një skemë të sofistikuar të kontrabandës së cigareve në të cilën, sipas njoftimit, janë të përfshirë shtetas shqiptarë dhe të huaj si dhe zyrtarë doganorë.
Sipas SPAK-ut, në më shumë se 30 raste është ndryshuar destinacioni i mallrave dhe më pas ngarkesa e destinuar për firmën porositëse është shkarkuar në territorin shqiptar me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore.
“Personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së. Konkretisht, subjekti tregtar (Fabrika e Cigareve “A.T”) i përfshirë ka aplikuar dhe është pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), nga autoritet doganore, me qëllim përjashtimin nga taksat dhe detyrimet doganore si në import të lëndës së parë ashtu dhe në eksport” – thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Dëmet që ky grup i kontrabandës i ka shkaktuar Shqipërisë dhe vendeve të BE-së janë të mëdha, dhe sipas SPAK-ut nëse nuk do të parandaloheshin nga organet e rendit edhe katër raste të tjera të planifikuara nga ky grup do të arrihej qëllimin që t’i humbte BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10 milionë euro.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky grup i strukturuar kriminal me një veprimtari të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, për qëllim fitimi ekonomik, ka sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e 366.034.451,000 lekë dhe vendeve të BE-së në një rast në vlerën 2,802,159,90 euro nëse kontrabandimi do të ishte i suksesshëm, dhe në katër raste të tjera e kanë arritur qëllimin duke i humbur BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10.000.000 Euro” – njofton SPAK-u.
Lidhur më këtë rast ndaj gashtë personave është vendosura masa e sigurimit personal – arrest në burg.
“Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim; I.J, (pronar i fabrikës), D.J (administrator i fabrikës), S.D (shtetas i Maqedonisë së Veriut), L.Q. (shtetas kosovar si dhe me shtetësi të Mbretërisë së Bashkuar), Z.S (shtetas serb) dhe M.B (shtetas serb), të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” – thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Ndërsa ndaj të dyshuarit me inicialet N.G. për kryerjen e veprave penale – kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës, është caktuar masa e sigurimit personal – arrest në shtëpi.
Masa e sigurimit personal – arrest në burg është caktuar edhe ndaj nëntë (9) zyrtarëve doganorë, të cilët dyshohen së ishin të përfshirë në këtë rast
“Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim punonjës të doganave I.H, K.G, I.C, A.T, M.N, G.T, G.S, E.SH dhe I.K, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” – thuhet në njoftim, raporton Kallxo.com.
Masa – ndalim i daljes jashtë shtetit dhe – detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore është caktuar ndaj zyrtarit tjetër doganor me incialet M.D. i cili është i dyshuar për veprën penale – kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore.
Gjithashtu, caktimin e masës së sigurimit – ndalimi i daljes jashtë shtetit, dhe – detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore është vendosur edhe ndaj personave nën hetim (punonjës të doganave); E.H., Y.K., B.R., I.Ç., I.M., A.S., Y.S., L.Ç., I.Z., F.Z., G.D., N.S., L.M., D.P., B.Z., A.N., V.G., SH.L. dhe L.D., të dyshuar për kryerjen e veprave penale – kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore.
Ndërkohë masa e sigurisë – arrest me burg është ekzekutuar për 5 nga 15 shtetasit në hetim, ndërsa masa e sigurisë – detyrim paraqitje dhe – ndalim i daljes jashtë shtetit është ekzekutuar për 15 nga 20 shtetasit nën hetim.
Prokuroria e Posaçme ka falënderuar autoritetet britanike të Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA), ato kosovare, greke për bashkëpunimin në hetimin e këtij procedimi penal, veçanërisht në ekzekutimin e shpejtë të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike./Periskopi/



