Peci si nata me ditë me shifra, kalkulimet e tij për bukën e motmotit s’janë kerkah
“Vitin e kaluar siguruam për herë të parë bukën e motmotit”, ka thënë ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, pa e përmendur faktin që Kosova pati importuar afro 100 mijë ton grurë e misër, që në vlerë totale i bie mbi 25 milionë euro.
Madje sipas të dhënave që pati siguruar Periskopi nga Dogana e Kosovës, nga fillimi i vitit 2024 e deri më datë 12.11.2024, janë importuar mbi 84 mijë tonë grurë dhe mbi 12 mijë ton miell.
Por kjo nuk mjafton.
Peci në një postim në Facebook po ashtu bën krahasimin me mendje të vet për hektarët për 2024, dhe të këtij viti.
“Edhe këtë vit po vazhdon trendi i rritjes, nga 53,627 hektarë sa ishin në vitin paraprak, në 75,138 hektarë këtë vit”, ka thënë ai sot në Facebook.
Deklarimet e tij janë në kundërshtim me ato parapraket.
Ministria që ishte në krye vet Faton Peci për katër vjet, patën thënë në media se vitin e kaluar janë mbi 65,000 hektarë, ndërsa vet shefi po thotë tani krejt ndryshe. Sipas tij kanë qenë vetëm 53,627 hektarë.
“Nga numri i aplikimeve për subvencione, mund të themi se sipërfaqet e përgjithshme të mbjella me grurë janë mbi 65,000 hektarë”, ka thënë vitin e kaluar Ministria e Bujqësisë në një përgjigje për Demokracia.com.
Burime të Periskopit brenda Ministrisë së Bujqësise bën me dije se ministri në detyrë Faton Peci e ka në sirtar Raportin e Gjelbërt për vitin 2024, por të njëjtin refuzon ta nënshkruaj pasi qe i njëjti nuk përkon me deklarimet e tij publike.
Kësisoj hedhen dyshime se si ministri në detyrë, po vazhdon ta mashtrojë opinionin publik me statistika që nuk përkojnë me Raportin e Gjelbërt ku publikohen të dhënat në detaje./Periskopi/
Peci i rritë hektarët me të mbjellura, dokumenti i Ministrisë së tij e demanton atë (RAPORTI)



