Përballë krizave globale, BE dhe Kanadaja me pakt të ri për sigurinë dhe teknologjinë

Përballë krizave globale, BE dhe Kanadaja me pakt të ri për sigurinë dhe teknologjinë

Kanadaja ka marrë sot pjesë në një samit në Bruksel, me synim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dyplashe me BE-në, në përballje të sfidave gjithnjë e më të mëdha gjeopolitike.

Sipas Reuters, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa mirëpritën kryeministrin kanadez Mark Carney në një takim dyorësh në prag të samitit të NATO-s në Hagë.

Bëhet e ditur se zyrtarët e BE-së kanë theksuar se ky samit nuk ishte një takim rutinë, por një moment i ri në marrëdhëniet mes dy aleatëve, të cilët tashmë kanë një marrëveshje të lirë tregtie.

Raportohet se në qendër të samitit është marrëveshja e parë e sigurisë dhe mbrojtjes që BE-ja nënshkruan me një shtet nga Amerika, Kanadanë. Ajo përfshin bashkëpunim në menaxhimin e krizave, sigurinë kibernetike, detare dhe hapësinore, kontrollin e armëve si dhe mbështetje për Ukrainën, e cila ndodhet ende nën pushtimin rus që prej më shumë se tre vitesh.

Poashtu marrëveshja do t’i hapë rrugë kompanive kanadeze për të pasur qasje në programin e përbashkët të prokurimeve të BE-së, të quajtur SAFE, me vlerë 150 miliardë euro.

Në detaje tjera, është bërë e ditur se BE dhe Kanadaja pritet të nisin edhe negociata për një marrëveshje dixhitale, që synon të ndikojë në rregullat globale për të dhënat – duke përfshirë çështje si firmat elektronike, mbrojtjen e konsumatorit dhe kufizimet ndaj spam-it.

Ndërsa, një draft i deklaratës së përbashkët bën thirrje për përputhje të standardeve në rregullimin dixhital, me qëllim që platformat online të jenë më të sigurta dhe përfshirëse, si dhe për të bërë sistemet e inteligjencës artificiale më të besueshme – fusha këto për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar BE-në./Periskopi/

Shpërndaje në: