Urat e VV’së mbi Ibër, Ramadani: Qeveria në detyrë të qartësojë se a ka hequr dorë përfundimisht nga hapja e Urës kryesore
Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po synon t’i ndërtojë dy ura në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilat do ta lidhnin Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën Jugore të banuar me shumicë shqiptare. Njoftimi për ndërtimin e këtyre urave ka nxitur menjëherë reagime nga BE dhe nga Lista Serbe, shkruan Periskopi.
Lidhur me këtë çështje për Periskopin ka folur ish-kryeinspektori i AKI’së, Burim Ramadani.
Ramadani i tha Periskopit se Qeveria në detyrë duhet të qartësoj se a ka hequr përfundimisht dorë nga hapja e plotë e Urës kryesore mbi Ibër. Dhe se vetëm atëherë do të duhej të projektoheshin Ura të reja.
“…Qeveria në detyrë duhet të qartësojë: a ka hequr dorë zyrtarisht nga hapja e plotë e Urës kryesore? Vetëm pas zyrtarizimit të heqjes dorë nga kjo, atëherë do të duhej të projektoheshin Ura të reja.”, tha Ramadani.
Tutje ai theksoi se mos-hapja e plotë e Urës kryesore është absurde dhe duhet të jetë pjesë e një diplomacie aktive të Kosovës, e cila nuk ekziston.
“Së pari, mendoj që mos-hapja e plotë e Urës kryesore të Ibrit është absurd dhe pa argumente të sigurisë. Si çështje e trajtuar vetëm politikisht, hapja e plotë e Urës kryesore është dashur të jetë pjesë e një diplomacie aktive të Kosovës, e cila nuk ekziston…”, ka thënë ai për Periskopin.
Sipas Ramadanit Kosova do të duhej të insistonte në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për çështjen e Urës. Por, që sipas tij sjellja e VV’së më 2024 e lëndoi besimin e NATO’së.
“…Kosova duhet të insistojë në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për çështjen e Urës dhe këtë ta bëjë në dialog të nivelit të lartë me NATO-n. Por, sjellja krejtësisht e përçudnuar e VV-së gjatë verës 2024 e ka lënduar mirëbesimin me NATO-n…”, është shprehur Ramadani.
Ndryshe Qeveria e Kosovës edhe në korrik të vitit të shkuar pati planifikuar të hapë për qarkullim edhe për veturat urën mbi lumin Ibër, por kjo pati shkaktuar tensione në Mitrovicë dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Në atë kohë, misioni i KFOR-it, që u vendos me një prani më të shtuar mbi urë, pati thënë se “çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret brenda kornizës së dialogut Kosovë–Serbi, i cili zhvillohet përmes Bashkimit Evropian”.
Derisa sot ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë i është nënshtruar testimeve dhe inspektimeve teknike nga ekspertët e Bashkimit Evropian./Albina Zariqi – PERISKOPI/



