Rutte thotë se Neni 5 i NATO-s është ‘absolutisht i qartë’: Trump, njeri i forcës dhe i paqes
Neni 5 i NATO-s ‘absolutisht i qartë’, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa e vlerësoi presidentin Donald Trump si ‘njeri i forcës, gjithashtu njeri i paqes’.
I pyetur për Nenin 5, Rutte tha se nuk ka ndërlikime sa i përket interpretimit të këtij neni.
“Neni 5 është absolutisht i qartë. Dhe në të njëjtën kohë, ne gjithmonë kemi thënë se s’do të hyjmë kurrë në detaje se kur saktësisht do të aktivizohet Neni 5. Dhe pse jo? Sepse nuk duam t’i bëjmë kundërshtarët tanë më të mençur.”
Pastaj, ai u pyet përsëri për Trumpin dhe tha:
“E njoh atë qe gati 10 vjet. Ai është një mik i mirë i imi. I besoj. Kishte plotësisht të drejtë që Evropa dhe Kanadaja nuk po i ofronin NATO-s atë që duhet t’i ofronin, dhe se SHBA-të po shpenzonin shumë më tepër për mbrojtje sesa evropianët dhe kanadezët. Tani po e korrigjojmë këtë.”
Ai gjithashtu, edhe një herë, vlerësoi sulmet e Trumpit në Iran.
“Mendoj se ai është një njeri i fortë, por edhe një njeri i paqes. E keni parë këtë tani me Iranin, njeriu i fortë që është në gjendje të komandojë bombarduesit B-2 të tij që të shkojnë në Iran për të shkatërruar atë kapacitet bërthamor, por edhe njeri i paqes, i cili më pas menjëherë vazhdon duke u siguruar që Izraeli dhe Irani do të angazhohen për një armëpushim”./Periskopi/



