80 mijë euro u shpenzuan për “trajnimin e punëtorëve”, por nuk punuan kurrë në fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore
Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore, e ndërtuar me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe pjesa tjetër nga buxheti i Kosovës, ishte lëshuar në funksion në vitin 2018 . Së paku kështu ishte raportuar asokohe nga drejtues të lartë institucionalë, përfshirë ish-kryeshefin e AUV-së, Valdet Gjinovci, i cili publikisht kishte deklaruar se fabrika kishte nisur punën. Por dokumentet të cilat i ka siguruar Periskopi tregojnë një të vërtetë krejtësisht tjetër, që fabrika asnjëherë nuk ishte funksionalizuar dhe, për më keq, ishte përdorur si pretekst për të shpenzuar 80 mijë euro të buxhetit publik për “trajnim” të një stafi që nuk kishte kurrfarë lidhje me fabrikën.
Nga: Blerta Agushi
Sipas këtyre dokumenteve, kompania “Novus” SH.P.K ishte përzgjedhur për të ofruar trajnime në këtë fabrikë për një periudhë 20-ditore. Qëllimi i këtij trajnimi do të ishte në rregull sikur të trajnoheshin zyrtarët që do të punonin në fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore, në një fabrikë me rëndësi kritike për shëndetin publik dhe trajtimin e mbetjeve shtazore. Por në realitet, siç rezulton nga të dhënat zyrtare dhe verifikimit të Periskopit, asnjëri prej të trajnuarve nuk ishte staf teknik i kësaj fabrike, e madje vetë fabrika nuk kishte fare punonjës të kontraktuar për operim në atë kohë.
Për të arsyetuar shpenzimin e 80 mijë eurove të zotuara, AUV kishte dërguar për trajnim 10 zyrtarë që nuk ishin pjesë e ndonjë strukture operative të fabrikës, dhe as nuk ishin të përfshirë ndonjëherë në procesin e prodhimit apo menaxhimit të saj. Në fakt, shumë prej tyre janë të emëruar në pozita që kanë lidhje me inspektimin e standardeve veterinare apo mbikëqyrjen e procedurave të përgjithshme, por asnjëri nuk ishte paraparë të punonte ndonjëherë në linjat industriale të fabrikës së përpunimit.
Lista e zyrtarëve të trajnuar, sipas dokumenteve të siguruara, përfshin Alban Spahiu – Zyrtar veterinar në AUV; Vllaznim Zajmi – Inspektor i shëndetit të kafshëve; Gresa Shala – Inspektore Veterinare Kufitare; Afrim Bajrami – Inspektor i veterinarisë; Kreshnik Paçarizi – Inspektor veterinar; Selami Salihu – Zyrtar për Informim dhe Raportim; Qenan Maxhuni – Inspektor i shëndetit të kafshëve; Selami Beluli – Inspektor veterinar; Kurtish Krasniqi – Inspektor Veterinar Regjional; Enver Dembogaj – Inspektor Veterinar Kufitar.

Të gjithë këta zyrtarë janë përfshirë në një trajnim 20 ditor, me një kosto totale prej 80 mijë eurosh, përfshirë këtu edhe një darkë përmbyllëse, duke cakërruar gotat se fabrika tashmë do të niste punën.

Ironikisht, kjo shumë që u shpenzua për këta zyrtarë nuk punuan asnjë ditë në fabrikë edhe pas 7 viteve që kanë kaluar, sepse fabrika, siç e pranon edhe AUV, asnjëherë nuk ka hyrë në funksion real, përkundër pretendimeve të mëhershme zyrtare. Megjithatë, sipas deklarimeve publike dhe buxhetit të shpenzuar për të, fabrika duhej të kishte qenë funksionale qysh në vitin 2019.
AUV, në përgjigje për Periskopin, ka pranuar se trajnimet nuk kanë pasur për qëllim përgatitjen e stafit për të punuar në fabrikë, por për t’u njohur me “metodologjinë dhe veçoritë” e funksionimit të saj, në mënyrë që inspektorët, në një të ardhme të pacaktuar, të mund ta mbikëqyrnin atë në mënyrë më efikase. Kjo formë arsyetimi, megjithatë, nuk shpjegon dot se përse një trajnim i tillë ka kushtuar kaq shumë, në një kohë kur vetë objekti dhe linja e prodhimit nuk kanë qenë asnjëherë në operim real.
“Inspektorët Veterinarë nuk janë trajnuar për të punuar në fabrikë! Trajnimi i Inspektorëve ishte në veçoritë e funksionit të fabrikës dhe metodologjinë e punës së saj, pasi që kontrollet zyrtare lidhur me funksionalizimin e saj është përgjegjësi e tyre”, thuhet në përgjigjen e AUV për Periskopin.
Në një tjetër sqarim për këtë çështje, AUV e ka konfirmuar në mënyrë eksplicite se fabrika nuk ka qenë e funksionalizuar më parë, pavarësisht se ish-kryeshefi Valdet Gjinovci, në kohën kur drejtonte këtë institucion, kishte deklaruar publikisht se ajo kishte filluar punën.
“Fabrika nuk ka qenë e funksionalizuar më parë, pa marrë parasysh deklarimeve të asokohe”, është theksuar në përgjigjen për Periskopin.
Periskopi i ka drejtuar pyetje përmes postës elektronike ish-kryeshefit Gjinovci në lidhje me këto kontradikta, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ai nuk ka kthyer përgjigje për të sqaruar rrethanat që dalin në kundërshtim me deklaratat e tij të mëhershme.
80 mijë euro u shpenzuan për trajnim, që të funskionalizohej fabrika me staf, por sot e asaj dite punëtorët nuk e bënë 1 orë punë në të. Ndërsa, tash Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ia dhanë në shfrytëzim me qira këtë fabrikë që ka kushtuar 8 milionë euro një kompanie që ishte hapur 5 ditë pas shpalljes publike, që Periskopi ishte mediumi i parë që raportoi. Më pas prokuroria ka nisur hetime dhe janë intervistuar disa zyrtarë, në mesin e tyre edhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci./Periskopi/



