Hasani: Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë, konstituimi i Kuvendit bëhet pa votim të fshehtë

Hasani: Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë, konstituimi i Kuvendit bëhet pa votim të fshehtë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses lidhur me krizën e konstituimit të Kuvendit e bën të qartë se procedurat duhet të vazhdojnë sipas praktikës së deritanishme, pa përfshirë votim të fshehtë në zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, transmeton Periskopi.

Sipas Hasanit, Gjykata Kushtetuese ka vënë theksin në tri baza të rëndësishme për konstituimin e Kuvendit: Kushtetutën, praktikat e mëparshme dhe Rregulloren e Kuvendit.

Ai theksoi se deri më sot nuk ka pasur asnjë precedent të votimit të fshehtë në këtë proces dhe, për këtë arsye, edhe vendimi i fundit e orienton qartë Kuvendin që të ndjekë rrugën e njëjtë.

“Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se konstituimi i Kuvendit bëhet sipas Kushtetutës, praktikave të deritashme dhe Rregullores së Kuvendit. Deri tash nuk ka pasur votim të fshehtë, dhe rrjedhimisht Kushtetuesja ka bërë të qartë se duhet të shkohet përpara me procedura siç kanë qenë – jo me votim të fshehtë,” u shpreh Hasani në RTVDukagjini.

Vendimi i Gjykatës thekson se forma e votimit për zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk është e përcaktuar në Kushtetutë apo në Rregulloren e Kuvendit, por se praktika parlamentare e ndjekur deri më tani ka qenë me votim të hapur – dhe kjo duhet të vazhdojë derisa nuk ka ndonjë ndryshim të qartë ligjor.

Kjo qasje pritet të ndikojë në zgjidhjen e bllokadës institucionale dhe t’i japë Kuvendit një drejtim të qartë për përmbylljen e procesit të konstituimit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Shpërndaje në: