Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese – Çfarë deklaruan partitë politike?
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim njëzëri në rastin KO124/25, duke deklaruar të pavlefshme vendimet e Kuvendit lidhur me refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendimet e ngjashme të seancave të tjera konstituive.
Sipas aktgjykimit, seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, pasi nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke e bërë kështu të pavlefshme konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka kërkuar që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, deputetët të përfundojnë procesin e zgjedhjes së udhëheqjes së Kuvendit dhe të fillojnë funksionimin e plotë të tij.
Ky vendim ka shkaktuar reagime nga partitë kryesore politike në Kosovë.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se:
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025.”
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka vlerësuar aktgjykimin si një fitore për rendin kushtetues dhe mposhtje të bllokadave politike.
“Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se:
“Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës. Askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt“.
Ai ka shtuar se PDK-ja “ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet,” duke “ofruar zgjidhje, jo bllokim” dhe duke kërkuar “respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale.”
“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve,” tha Krasniqi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, u shpreh se:
“Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë dhe kryhet kjo punë”.
Ai përmendi tri pika kyçe nga aktgjykimi.
“Votimi i fshehtë është kushtetues dhe i lejueshëm; të gjitha partitë duhet të angazhohen për konstituimin e Kuvendit; të gjithë deputetët kanë për obligim të marrin pjesë në votim“.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka mirëpritur vendimin, por ka shprehur shqetësim për mungesën e qartësisë në pasojat e moszbatimit të afatit 30-ditor.
“Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar një afat kohor dhe tashmë e dimë, që ka një afat kohor… Nuk duke shumë e qartë, nga ajo që kam parë, se çfarë do të ndodhë nëse nuk bëhet brenda 30 ditëve“.
Ajo shtoi se paqartësitë mbeten të mëdha, sidomos duke marrë parasysh numrin e lartë të vazhdimeve të seancës konstituive që nuk kanë prodhuar rezultat.
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate tha se:
“Grupi më i madh parlamentar nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit” dhe ai duhet të “sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet e tjera parlamentare“.
Gjithashtu, sipas LDK-së, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat parlamentare, duke vazhduar seancën me “votim të hapur” sipas skenarit të dakorduar më parë.
Ndëra, në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje kanë theksuar se obligimi për përfundimin e konstituimit të Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, jo vetëm e subjektit të parë parlamentar.
“Opozita kishte për qëllim fajësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për moskonstituim të Kuvendit. Mirëpo, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese disa herë thekson se obligimi është i të gjithë deputetëve nga të gjitha partitë, jo vetëm të partisë së parë”, thuhet në reagim./Periskopi/



