Kur mund të rinisë Irani pasurimi i uraniumit?
Irani mund të jetë në gjendje të rinisë pasurimin e uraniumit brenda pak muajsh, ka deklaruar kreu i Agjencisë së OKB-së për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi.
“Kapacitetet që ata kanë janë ende aty. Gjithashtu, brenda pak muajsh, ata mund të kenë disa centrifuga që prodhojnë pasurimin e uraniumit”, ka deklaruar Grossi.
Ai ka theksuar se, askush nuk mund të pretendojë se çdo gjë që ishte në impiante të jetë zhdukur.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump tha të dielën se sanksionet ndaj Iranit mund të hiqen nëse ata pranojnë të kalojnë në një proces paqësor të pasurimit të uraniumit.
“Ne kemi ende sanksionet, por nëse ata bëjnë atë që duhet, nëse ndjekin një rrugë paqësore dhe nëse na tregojnë se nuk do të shkaktojnë dëme të tjera, unë do t’i heq ato dhe kjo do të përbënte një ndryshim të madh”, tha Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se e kishte refuzuar kërkesën e Republikës Islamike për lejimin e pasurimit të uraniumit gjatë negociatave.
“Nuk do ta kisha lejuar”, tha presidenti amerikan, i cili e justifikoi bombardimin e impianteve bërthamore iraniane duke thënë: “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe ata mund ta kishin atë brenda pak javësh”.
Më 22 qershor, Shtetet e Bashkuara kryen një seri sulmesh bashkë me Izraelin ndaj centraleve atomike në Fordo, Natanz dhe Isfahan. Sipas Trump, strukturat në fjalë u shkatërruan tërësisht dhe programi bërthamor u kthye dekada pas./Periskopi/



