Këshilli i BE-së rinovon sanksionet ndaj Rusisë deri në janar 2026
Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur të vazhdojë sanksionet ekonomike kundër Rusisë për 6 muaj të tjerë, deri më 31 janar 2026.
Këto masa janë vendosur për herë të parë në vitin 2014 dhe janë intensifikuar pas shkurtit 2022, si reagim ndaj agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, të cilin BE-ja e konsideron “të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshëm”.
Në deklaratën e saj, Këshilli i BE-së thekson se, për shkak të vazhdimit të veprimeve të paligjshme të Moskës që shkelin ligjet ndërkombëtare, është e nevojshme të mbahen në fuqi të gjitha masat ekzistuese dhe të merren masa shtesë nëse kërkohet.
Sanksionet aktuale përfshijnë kufizime në sektorë të ndryshëm si tregtia, financat, energjia, teknologjia, transporti dhe mallrat luksi. Ndër masat kryesore janë ndalimi i importit të naftës ruse, pezullimi i lidhjeve SWIFT për disa banka, dhe bllokimi i mediave pro-Kremlinit në BE.
Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm të intensifikojë presionin ndaj Rusisë duke miratuar sanksione të mëtejshme nëse situata e kërkon./Periskopi/



