“Ka humbur kredibilitetin duke mbështet Kurtin”, analistët kritikojnë Osmanin pas takimit me liderët, thonë se i duhet guxim me vlerësu krizën
‘‘Afatet po rrjedhin’’, ‘‘Aktgjykimi është i qartë’’ – kështu u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimeve që i zhvilloi ndaras me liderët e partive kryesore politike, si pikënisje për të bërë përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga bllokada institucionale. Këto takime shënuan edhe tentimin e dytë të Osmanit për gjetjen e një mundësie për zgjidhje të ngërçit, raporton Periskopi.
Analistët politikë kanë kritikuar mosveprimin e Osmanit për të zgjidhur ngërçin politik, anipse kjo i garantohet me Kushtetutë.
Analisti Shkelzen Maliqi thotë se Kushtetuta ia lejon Osmanit që të veprojë në rast krize, dhe se nuk e ka të përcaktuar se si të veprojë.
Maliqi, shtoi se Osmani do të duhej të vepronte qysh në rastin kur Kurti dhe ministrat në detyrë, edhe pas betimit si deputetë, kanë vazhduar t’i mbajnë postet në qeveri.
“E para është se Kurti dhe ministrat e tij janë çertifikuar si deputet, dhe vazhdojnë të mbajnë postet. Edhe Kushtetuta edhe ligji që e ka propozuar dhe aprovuar vetë Vetëvendosja thojnë se nuk mund të ushtrohen njëkohësisht, me automatizëm ndërpritet ose njëra ose tjetra.
Vetëm ky uzurpim mjafton që Presidentja me reagu, Kurti thotë se kanë dhënë dorëheqje me shkrim, por kjo ka pasojën automatike se nuk mund të mbetet as kryeministër në detyrë, por është vetëm deputet dhe s’ka më të drejtë në seancën konstitutive nga momenti që ishte certifiku si deputet. Është dashtë me e caktu një zëvendëskryeministër në detyrë, dhe të shkojë në seanca si deputet”, tha ai.

Shkelzen Maliqi
Që nga 15 prilli, e deri më 3 qershor janë mbajtur 41 seanca për çdo 48 orë për konstituimin e Kuvendit. Të gjitha këto seanca kanë rezultuar të pasuksesshme.
Maliqi konsideron se Osmani do të duhej të ndërhynte në këtë rast, duke dhënë një afat prej 15 ditësh për formimin e institucioneve.
“Tjetri moment për veprim është manipulimi i 40 seancave, që bllokojnë konstituimin e qeverisë. presidentja është dashtë të intervenoj menjëherë duke dhënë në afat provizor sa kohë duhet për zgjedhjen e Kryetarit dhe të Kryedisë të Kuvendit, pa e pritë mendimn e Gjykatës Kushtetuese që me shumë vonesë e tha se duhet të bëhet brenda 30 ditëve, e që ajo ka mundur të thotë afat është 15 ditë, sa i ka mandatari për krijimin e qeverisë”, u shpreh Matoshi.
“Edhepse Kushtetuta dhe ligji nuk e thojnë tekstualisht për sa kohë kryhet konstituimi, garantuesja e funkcionalitetit e ka të drejtën ta kufizoj kohën, jo të lejoj blerjen e paskurpult të kohës edhe duke pamundësuar debatin mes depuetëve.
Pastaj, presidentja vepron permes dekreteve që janë fuqi ekzekutive, dhe dekreti për përshpejtimin e konstituimit të Kuvendit, mbështetet në rolin e saj të garantimit të funkcionalitetit të institucioneve. Për më shumë, duke u thirrur në të dy pikat që i përmenda, Presidentja e ka mundësinë me e shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ose nëse bllokada vazhdon për shkak sjelljeve obstruktive të shkelësve të ligjit dhe kushtetutës, mund të shpallë përsëritjen e zgjedhjeve.
Si perfundum, thjeshtë, presidentja duhet me pas guximin me vlerësu krizën si krizë dhe me vepru. Ende nuk është vonë!”, u shpreh Matoshi.
Sipas analistit, Halil Matoshi, e para e shtetit ka humbur kredibilitetin meqë është ‘mbështetëse e Albin Kurtit’.
“Presidentja e Kosovës duhej shumë më herët me ushtru kompetencat e saj nga Neni 4 i Kushtetutës (garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve); por ajo ka humbë kredibilitet e neutralitet tue qenë mbështetëse e Albin Kurtit. Tashti rendi kushtetues âsht cënu rând kurse Presidentja nuk ka asnji mekanizëm në dispozicion me e ndalë rreknimin e shtetit n’humnerë”, u shpreh Matoshi.

Halil Matoshi
Matoshi, mori shembuj të mëparshëm të ish-presidentes, Atifete Jahjaga e cila në tetor të viti 2015, kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta vlerësonte përputhshmërinë e Marrëveshjës për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe, me Kushtetutën e Kosovës.
‘’Gykata Kushtetuese nuk shqyrton pyetje hipotetike, pa u prodhu nji vendim apo pasojë juridike!?”, shtoi ai.
“Presidentja, më 15 prill âsht dashtë me ia bâ me dije Avni Deharit se rendi i ditës i paracaktuar nga ish Kryetari i Kuvendit (legjistatura e Tetë) nuk preket sepse âsht strikt dhe formal dhe në seancë konstituitive duhet zbatu praktikat e mëparshme dhe se nuk ka mocione procedurale, për ndryshim të mënyrës së votimit. Presidentja ka hezitu tue leju marrjen peng të Kuvendit nga nji deputet ordiner”, ka thënë Matoshi.



