QKMRT mirëpret dënimin për krimet ndaj grave dhe të miturave jazide në Siri e Irak
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin me 20 vjet burg të Murat Dernjanit, i shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit, konkretisht për dhunim dhe skllavëri seksuale ndaj grave dhe vajzave të mitura të komunitetit jazid në Siri dhe Irak.
Ky është rasti i parë i këtij lloji në Kosovë dhe më gjerë, ku një shtetas lokal mbahet përgjegjës për krime të rënda të kryera jashtë vendit. QKRMT theksoi se ky aktgjykim shënon një precedent të rëndësishëm në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përforcuar standardet për ndjekjen penale të dhunës seksuale gjatë konflikteve.
Në njoftimin e saj, Qendra ka vlerësuar lartë angazhimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e një rasti me ndërlikime të larta ndërkombëtare. Po ashtu, është përgëzuar edhe Gjykata për krijimin e kushteve të sigurta dhe të ndjeshme për viktimat, të cilat dëshmuan përmes video-lidhjes.
QKRMT e cilëson këtë vendim si një dëshmi e përparimit të drejtësisë penale në Kosovë dhe një hap domethënës drejt mbajtjes përgjegjëse të autorëve të dhunës seksuale të përdorur si armë lufte.
Ajo shton se përmes anëtarësisë në rrjetin global SEMA, do të vazhdojë angazhimin në luftën kundër dhunës seksuale në konflikte dhe për sigurimin e drejtësisë për viktimat./Periskopi/



