Mungon një i akuzuar, dy dëshmitarë e një avokate, shtyhet seanca për fajde
Në mungesë të të akuzuarit Ajet Kuqi, dëshmitarëve K.R., dhe Sh.J., si dhe avokates së palës së dëmtuar Xhevahire Kloopner, ka dështuar të mbahet gjykimi për fajde të martën në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog.
Në këtë rast, Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha dhe Isuf Thaqi akuzohen për fajde, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Periskopi.
Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me mungesën e të akuzuarit Kuqi, avokati i tij Getuar Zekaj deklaroi se i mbrojturi i tij mungon për arsye shëndetësore dhe për këtë ia dorëzoi Gjykatës një raport mjekësor.
Në seancë mungoi edhe dëshmitarja K.R., për të cilën në procesverbal thuhet se përmes fletëkthesës është ftuar me rregull por mungesën nuk e ka arsyetuar. Ndërkaq, mungoi edhe dëshmitari Sh.J., për të cilin i dëmtuari Rifat Jasiq tha se gjendet jashtë vendit.
Në seancë mungoi edhe avokatja Xhevahire Kloopner, të cilën, sipas procervebalit, i dëmtuari në këtë seancë e autorizoi që ta përfaqësojë.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për 9 shtator 2025.
Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.
Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.
Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.
I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.
I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.
I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.
I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.
I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.
I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.
I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.
Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës. /Periskopi/



