Maliqi lavdëron mediat për rastin e Agon Zejnullahut: Pa publikimin e pamjeve rasti mund të përfundonte në sirtarët e institucioneve

Maliqi lavdëron mediat për rastin e Agon Zejnullahut: Pa publikimin e pamjeve rasti mund të përfundonte në sirtarët e institucioneve

Politologu Agon Maliqi ka lavdëruar mediat për publikimin e pamjeve që tregojnë vdekjen e Agon Zejnullahut në duart e Policisë së Kosovës.

Ai ka bërë me dije se po të mos ishte publikimi i këtyre pamjeve nga mediat rasti në fjalë do të përfundonte i mbyllur në sirtarët e institucioneve.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se publikimi i pamjeve ka qenë i arsyeshëm sepse ka pasur interes publik në zbardhjen e të vërtetës, përcjell Periskopi.

“Përgëzime mediave për imponimin e transparencës në një rast që shumë lehtë mund të përfundonte i mbyllur në sirtare insitucionesh – publikimi i videove në këtë rast (për dallim prej rasteve të tjera abuzuese që e cënojnë privatësinë) është i arsyeshëm sepse ka interes publik në zbardhjen e të vërtetës. Tash mbetet të shihet se sa do të munden institucionet e tjera ta trajtojnë rastin në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, ka shkruar Maliqi.

Ai ka kritikuar sjelljen e pjesëtarëve të policisë në këtë rast.

Sipas tij, standardët profesionale të policisë kanë rënë kohëve të fundit.

“Logjika e thjeshtë thotë se policia duhet të jetë e aftë që ta neutralizojë nje qytetar të paarmatosur pa e vra. Me nivel të tillë të agresionit prej qytetarëve në gjendje të rënduar mendore besoj se një polici e çdo vendi përballet rregullisht. Përgjithësisht policia e Kosovës shihet si profesioniste dhe (për standardet rajonale) vazhdon të gëzojë besim te publiku, por ka shenja se standardet kanë ra. Faj këtu ka edhe fetishizimi kolektiv i policisë si njëfarë shënjuesi i “besnikërisë ndaj shtetit”, që na e ka humbur aftësinë për vlerësim kritik të punës së saj, e që po prodhon edhe shumë arsyetime të veprimeve të zyrtarëve policorë edhe në këtë rast, prej njerëzve që nuk po kuptojnë se është skajshmërisht joproporcionale që një njeri i paarmatosur të përfundojë i vdekur nëse ka qenë në gjendje të rënduar mendore, gjë që mund t’i ndodh shumëkujt”, ka shkruar Maliqi.

Shpërndaje në: