Dedaj: LVV po e vret shtetin dhe demokracinë, turpi është nder për ta
Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sjellje antikushtetuese dhe shkatërrim të institucioneve demokratike.
Në një reagim publik, Dedaj ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “uzurpator” dhe “huligan politik” që, sipas tij, po shkatërron shtetin e Kosovës.
“TURPI ËSHTË NDERË PËR LVV! LVV po e vret shtetin dhe demokracinë!
Albin Kurti me sjellje antishtetërore, si një dezertor, uzurpator dhe pirat i Republikës së Kosovës dhe huligan politik, tash e pesë vite po e shkatërron shtetin dhe partneritetin e Kosovës në mënyrën dhe me metodat më brutale, populiste dhe jodemokratike,” ka shkruar Dedaj.
Ai e akuzon Vetëvendosjen për instalim të urrejtjes dhe për “vrasje të demokracisë parlamentare” në Kosovë.
“Duke e instaluar urrejtjen dhe vrasjen e demokracisë parlamentare në Republikën e Kosovës!”
Sipas Dedajt, edhe dështimi i sotëm për të 44-tën herë për konstituimin e Kuvendit është dëshmi e abuzimit me vullnetin qytetar dhe me rendin kushtetues.
“LVV edhe sot për të 44-ën herë dështoi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke abuzuar me votën qytetare dhe me standardet kushtetuese e demokratike të Republikës së Kosovës!” /Periksopi/



