Bajraktari: 16 korriku, datë e rëndësishme për drejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe test serioz i objektivitetit të gjykatës
Avokati, Ardian Bajraktari, ka thënë se 16 korriku është datë e rëndësishme për procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Bajraktari përmes një postimi në rrjetin social Facebook këtë datë e ka vlerësuar si test serioz i objektivitetit të gjykatës, raporton Periskopi
“Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë, tashmë, është në një fazë të rëndësishme, javen e ardhshme, gjegjësisht më 16 Korrik do të bëhet publik vendimi i trupit gjykues lidhur me mocionin e përbashkët të palës mbrojtëse, përkatësisht kërkesën për hudhje të pikave të aktakuzës. Ky proces gjyqësor është i shoqëruar me shkelje të shumta, siç i kemi thënë që në krye të herës, duke filluar nga mungesa e transparencës, stërzgjatja e procesit, mungesa e kredibilitetit të provave/dëshmive, qasja diskriminuese ndaj palës mbrojtese në raport me palën akuzuese, e mbi të gjitha vënia në dyshim e objektivitetit të trupit gjykues”, ka shkruar ai.
Sipas tij, objektiviteti apo parimi i barazisë së palëve/armëve në procedurë, është bazë dhe fundament i garantimit të një gjykimi të drejtë, të paanshem e objektiv.
“Ky parim te Dhomat e Specializuara në Hagë, është i cënuar seriozisht që nga mënyra se si është ideuar dhe se si funksionin kjo Gjykatë, e tëra nën një ombrellë.Edhe veprimet (në jo pak raste) të trupit gjykues, e veçmas njërin prej anëtarëve, duke u përfshirë me pyetje orientuese, rrjedhimisht të ndaluara për dëshmitarët, e çon në një dimension tjetër dyshimin, duke e ngritur nivelin në shqetësim serioz objektivitetin e trupit gjykues. Vendimmarrja e cila do të publikohet javën e ardhshme, gjegjësisht më 16 Korrik, është një test i këtij shqetësimi dhe sinjal tejet domethënës për ecurinë e procesit dhe vendimmarrjen e mëpastajme përkitazi me këtë proces gjyqësor sa të ndjeshëm aq edhe të rëndësishëm”, ka përfunduar Bajraktari./Periskopi/
Postimi i plotë:



